Dy ditë më parë përfaqësuesit e lartë të shtetit turk kanë pohuar se kanë dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të kërkuar kthimin në Turqi të M. Fethullah Gylenit, i cili akuzohet prej tyre si organizatori i përpjekjes për grusht shteti të datës 15 korrik.
Menjëherë pas deklaratave nga ana e qeverisë turke për dorëzimin e plot katër dosjeve me akuzat dhe provat që kërkojnë ekstradimin nga ana e ShBA-ve të klerikut të mirënjohur, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Toner, ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka theksuar se është marrë kërkesa zyrtare për ekstradimin e F. Gylenit, mirëpo kjo është një çështje që kërkon kohën e saj. “Nuk është diçka që mbyllet brenda një dite, – ka nënvizuar ai. – Jo vetëm kaq, por ky tashmë është një proces ligjor që do të ndiqet nga prokurorët dhe gjithë hallkat e tjera përkatëse të drejtësisë në vendin tonë. Tani ne thjesht po përpiqemi të përcaktojmë llojin e dokumentacionit me të cilin kemi të bëjmë.”
I pari që ka reaguar pas deklaratave të njëpasnjëshme nga përfaqësues të qeverisë turke, se ShBA-të janë duke strehuar kreun e një organizate terroriste, M. Fethullah Gylenin, ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ankara, i cili është shprehur: “Qëndrimi i Gylenit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kryekëput ligjor dhe, duke qenë i tillë, ai zotëron të gjitha të drejtat ligjore dhe për mbrojtje në atë vend.”
Edhe mendimtari mysliman ka reaguar nëpërmjet një mesazhi të tij të shkurtër që është dhënë prej faqes në ueb të shoqatës “Aleanca për Vlerat e Përbashkëta” me qendër në Nju Jork. Ai ka përsëritur edhe njëherë se “Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka treguar edhe njëherë sot se ai do t’i shkojë deri në fund rrugës së nisur për t’i përforcuar edhe më tej pozitat e pushtetit të tij dhe për të përndjekur çdo zë kritik të mundshëm ndaj tij. është qesharake, e papërgjegjshme dhe krejtësisht e gabuar që të pretendosh se unë mund të kem të bëj me atë grusht shteti të tmerrshëm të mbetur në tentativë. I kërkoj qeverisë së ShBA-ve që të mos pranojnë asnjë përpjekje për të abuzuar me procesin e ekstradimit për hir të një hakmarrjeje politike.”
ma.me