Një senatore serbe ka sulmuar SHBA dhe Shqipërinë, duke i akuzuar se po planifikojnë shpërbërjen e Maqedonisë. Elena Guskova, një akademike dhe sentore e Republikës serbe të Bosnje-Hercegovinës, ka shkruar së fundi se konfliktet e fundit në Ballkan janë rezultat i politikës amerikane. Me anëtërësimin e Kosovës në OKB, thotë ajo, shqiptarët në Maqedoni, Serbinë Jugore dhe Mal të Zi e Çamëri, do të organizojnë një lëvizje të armatosur për të krijuar atë që ajo e quan Shqipëria e Madhe.
Rezultati i parë i kësaj kryengritje, do të jetë sipas saj, shpërbërja e Maqedonisë. Dhe qëllimi i gjithë këtij pështjellimi ballkanik, sipas Guskovas, është shtimi i bazave ushtarake amerikane, që amerikanëve mund t’ua ofrojnë vetëm shqiptarët. “Ndërkohë që është kërkuar hetim ndërkombëtar për Kumanovën, ky hetim mund të nxjerrë fajtore policinë maqedonase dhe kaq do të mjaftojë që të plasin kryengritjet. Shqiptarët do të vazhdojnë të provokojnë derisa të bëhet gjendje lufte në Maqedoni, që do t’i ushtrojë më shumë presion Nikolla Gruevskit. Mjafton të vriten disa shqiptarë dhe UÇKja do të formohet sërish. Komuniteti ndërkombëtar do t’i kërkojë paqe Gruevskit me kryengritësit dhe ky i fundit do ta ketë të pamundur ta vendosë atë. Kaq do të mjaftojë që të përsëritet skenari i Kosovës me Serbinë. Në këtë mënyrë do të formohet një tjetër shtet shqiptar kukull në Ballkan”, shprehet Guskova.