Dritan Prifti thotë se me mbështetjen që po i jep Albert Çaçit, synon të rikthehet në politikë.
Ai shprehet se kjo mbështetje do t’i shërbejë si trampolinë, për të qenë në parlament dhe qeveri pas dy vitesh.
“Nëse fiton Albert Çaçi, kjo është një trampolinë për mua drejt Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme. Albert Çaçi dhe une i kemi bërë fierakët krenarë kudo që janë dhe ata do na japin besimin ta kthejmë Fierin në qendër të punës, ku rinia gjen shpresën dhe fshati gjen përkrahjen e duhur. Sigurisht që angazhimi im në Fier synon rikthimin tim në politikë dhe qeverisje pas 2 vjetësh. Do ta bëj dhe do synoj majat më të larta. Nuk bëhet Shqipëria as me hajdutë, as me kriminelë dhe as me piktorë. Duhet tru dhe guxim për ta bërë Shqipërinë”, thotë Prifti për Panorama.
Ai ndërkohë thotë se e vlerëson Skënder Gjinushin, por nuk do të behet pjesë e partisë së tij.
Prifti shprehet se pas një viti do të krijohet një parti e re, ku do të ketë figura me influencë.
“Gjinushi më ka thënë se PS-ja është parti fashiste dhe se ç’rregjistrimi nga KQZ-ja i kandidatëve të PSD-së në Malësinë e Madhe, Prrenjas e Selenicë është fashizëm. Kjo u bë nga PS-ja me presion ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor.
Në qoftë se të huajt do ta analizojnë se si ka vepruar KQZ dhe Kolegji në këto raste, ata do të kuptojnë se në Shqipëri s’ka zgjedhje të lira, s’ka liri për kandidim dhe s’ka të drejta kushtetuese të garantuara. Gjinushi mendon se Rama është në drejtimin e gabuar dhe se e majta po keqqeveris.
Pavarësisht respektit personal që kam për Gjinushin, nuk mendoj se e ardhmja ime politike lidhet me këtë parti. Strukturat e PSD-së janë zgjatime të shëmtuara të influencave të PS-së dhe të merresh me ato është humbje kohe. Une në të ardhmen besoj do të eci drejt një force të re politike, ku PSD mund të jetë partner koalicioni. K
a figura me shumë influencë në Shqipëri që do jenë pjesë e këtij projekti që besoj do marrë jetë brenda fundit të këtij viti. Po përpiqet Meta të më ndalojë duke sajuar pengesa artificiale, por kjo është e pashmangshme. Unë do të jem në parlamentin dhe qeverinë e ardhshme me një projekt ambicioz për të krijuar polin e tretë në politikën shqiptare”, thotë Prifti.