Bashkitë në të gjithë vendin së shpejti do të ketë një sistem të dixhitalizuar sa i përket dhënies së informacionit për qytetarët.
Komiteti për zhvillimin e rajoneve, nëpërmjet projektit Shqipëria dixhitale do te mbështesë me 480 milionë lekë, 11 bashki, për dixhitalizimin e sistemit të shërbimeve. Bashkia e Tiranës do të përfitojë në total rreth 208 milionë lekë të cilat do të përdoren për forcimin e kapaciteteve informuese dhe kontrolluese.
Në bashkinë e Durrësit do të bëhet modernizimi i sistemit të informimit të qytetarëve nëpërmjet digjitalizimit dhe standartizimit të të dhënave gjeohapsinore të titujve të pronësisë, me vlerë 15 milionë lekë.
Por do të jenë edhe bashkitë më të vogla të cilat do të përfitojnë nga ky financim. Në bashkinë e Mallakastrës do të financohet implementimi i sistemit të taksave dhe tarifave vendore për biznesin dhe qytetarët, me vlerë 9 milionë lekë.
Informimi on-line i biznesit dhe i qytetarëve për detyrimet që kanë mbi taksat vendore do të realizohet edhe në Bashkinë e Çorovodës me 9 milionë lekë.