Deputeti i Partisë Demokratike Genc Ruli ngre dyshime për cilësinë e reformës në drejtësi.
I ftuar në “5 pyetje nga Babaramo”, Ruli thotë se për këtë reformë duhej të ishin njerëz reformatorë.
“Kjo qeveri nuk mund të vlejë si fytyra reformatore në imazhin e popullit. Mund të shikohet si njeriu që me servilizëm u thotë po çdo gjëje që kërkojnë ndërkombëtarët pa menduar se sa i saktë është teksti që po shkruhet dhe a i përshtatet Shqipërisë. Reforma do reformatorë, po ne nuk i kemi. Unë besoj vetëm tek ndërkombëtarët dhe vendosmëria e tyre për të reformuar Shqipërinë“, u shpreh Ruli.
Gjithashtu Ruli akuzon partitë politike se nuk kanë informuar deputetët se çfarë përmban drafti. “Procesi është zhvilluar në mënyrë shumë hermetike. 99% e deputetëve në parlament nuk e dinë as sot se çfarë është shkruar në atë reformë“, tha ai.
Në lidhje me krijimin e një qeverie ekspertësh, ish-ministri i Buqësisë e mbështet atë, por thekson se po bëhet “merkato” për blerjen e votave.
Mendoni se procesi për reformën në drejtësi ka ndjekur rrugën e duhur apo ka qenë i deformuar që në fillim?
Po e bëjmë reformën në ditën më të vështirë pasi sot dhe nesër përcaktohet fati i reformës, ndaj nuk mund të flasim me siguri për vendimet që do merren në këto ditë. Dua të them që nisja e reformës ka një shkak dhe nuk është Rama që e kërkoi reformën në drejtësi si pjesë të programit të tij dhe nuk ishte as Basha që e kishte këtë si një kundër propozim si pjesë të programit të opozitës. Shteti shqiptar në këto 25 vite demokraci ka dështuar me shtetin ligjor dhe indirekt me sistemin e drejtësisë dhe shkaku kryesor i kësaj është vetë politika.
Pjesa më problematike e shoqërisë shqiptare është drejtësia?
Po, sepse është më e ekspozuara. Drejtësia e ka marrë infeksionin nga gjithë mentaliteti i shoqërisë shqiptare, nga kultura që ka shoqëria shqiptare me ligjin dhe të drejtën, por ndikimin më të madh në këtë deformim e ka dhënë politika. Është politika që ka ndikuar nëpërmjet procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe është po ajo që nuk ka lejuar të krijohet një identitet i fortë i prokurorëve. Nuk ka një prokuror në Shqipëri që nuk është atakuar deri me shkarkim nga detyra nga politika shqiptare. Nisma për të reformuar drejtësinë është baza për garantimin e një shteti ligjor që do të jetë i denjë për partnershipin me ndërkombëtarët. Mesazhi i parë politik për nisjen e reformës ka ardhur nga sekretari i shtetit amerikan Kerry para një viti e gjysmë në një konferencë për në Gjermani, ku theksoi se në të gjitha vendet e Ballkanit ka një problem madhor të mosfunksionimit të shtetit, te kapjes së shtetit nga një oligarki që është e përbërë nga politika, bosët e mediave, bosët e pushtetit të parasë dhe nga krimi i organizuar. Nuk besoj se ka politikan që nuk mund të pranojë nevojën e një reforme të thellë në drejtësinë shqiptare. Por a mund të reformohet drejtësia në vetvete si një fenomen i shkëputur pa u reformuar i tërë sistemi i drejtësisë? Unë jam i mendimit që që të kemi një drejtësi të reformuar dhe që të vazhdojë të funksionojë më një mentalitet të ri duhet patjetër ta shoqërohet me një reformë po aq të thellë politike, një kushtetutë e bërë nga e para dhe pse jo një republikë e re, një sistem të ridemensionuar.
Çfarë duhet ndryshuar tjetër në Kushtetutë, përveç pjesës që i përket drejtësisë?
Gjëja e parë që të funksionojë drejtësia duhet që të mos ketë ndikim të interesave politike apo interesa të tjera, pra duhet ndarje e tre pushteteve. Duhet të garantohet një proces profesional i përzgjedhjes, gjë që politika deri më tani nuk e ka zbatuar. Është e çuditshme se tre nga ish-presidentët bënë thirrje për reformën në drejtësi, pa bërë asnjë mea culpa, duke qenë vetë ata disa nga shkaktarët e devijancave sepse në fund të fundit presidentët janë ata që kanë propozuar emërimet në Gjykatën e Lartë, kryeprokurorët, etj. Duhet të ndryshojë raporti midis kryeministrit dhe presidentit që është dëmtuar rëndë në vitin 2008. Sot kemi një president pa kompetenca fare. Edhe një sistem drejtësie me pavarësi totale nga politika nuk mund të ekzistojë sepse ishin themeluesit e Amerikës që futën edhe konceptin e ‘’kontrollo-balanco’’, që secili nga tre pushtetet janë të pavarur po kontrollohen dhe reciprokisht midis tyre. Model i ri e ka shumë më të zbehur këtë balancë. Sistemi zgjedhor duhet riparë sepse ky sistem lë shtegun për të sjellë elementë problematikë në parlament.
A është ky parlamenti i duhur për të bërë këtë reformë, kur ka edhe deputetë të cilët janë dënuar apo që pritet të dënohen?
Nuk ka dinjitet në këtë parlament për ta bërë këtë reformë. Ka mjaft raste të këtyre dy ditëve të fundit që tregojnë se pushteti është kapur nga një oligarki në të cilën është përfshirë edhe krimi i organizuar. Kemi raste të deputetëve të inkriminuar në krimin e organizuar. Ndërkombëtarët kanë emergjencën që vendi të ndryshojë prandaj kanë bërë kompromisin që të jetë ky parlamenti. Ndërkombëtarët nuk kanë ndonjë preferencë duke e parë Ramën si kryereformatorin ata janë pragmatikë dhe utilitaristë, ata duan realizimin e reformës. Rama përfaqëson kryeministrin por mbrapa kësaj nuk kam asnjë dyshim që ata e kanë të zbardhur performancën e Ramës.
Publiku ka një perceptim që Rama është pro reformës dhe PD kundërshton, si shpjegohet kjo?
Biseda jonë ka qëllimin që të dalë jashtë perceptimeve. Me listën e skandaleve që ka kjo qeveri, me një qeveri që mbylli një Lazarat por bëri Lazarat një të tretën e Shqipërisë, me skandale të zyrtarëve të lartë me veprimtari gati kriminale, me një qeveri që ka dalë më arbitrarja për t’iu kundërvënë formalisht sistemit të drejtësisë dhe pushteteve zyrtare. Sfidat ndaj presidentit dhe KLD, arroganca në sulmin personal ndaj gjykatësve për vendimet dhe heshtja kur vendimet e gjykatës kanë qenë në favor të tyre. Kjo qeveri nuk mund të vlejë si fytyra reformatore në imazhin e popullit. Mund të shikohet si njeriu që me servilizëm u thotë po çdo gjëje që kërkojnë ndërkombëtarët pa menduar se sa i saktë është teksti që po shkruhet dhe a i përshtatet Shqipërisë. Reforma do reformatorë, po ne nuk i kemi. Unë besoj vetëm tek ndërkombëtarët dhe vendosmëria e tyre për të reformuar Shqipërinë.
Në aspektin praktik a e kanë menaxhuar si duhet procesin reformues ndërkombëtarët?
Në këtë reformë ka një problem. Shumica e shqiptarëve e kërkojnë me ngulm reformën në drejtësi sepse janë atë të cilët e vuajnë shkeljen që ligji bën mbi jetën e tyre. Procesi është zhvilluar në mënyrë shumë hermetike. 99% e deputetëve në parlament nuk e dinë as sot se çfarë është shkruar në atë reformë. Në çdo deklarim bëhet fjalë vetëm për Venecia, ekspertë ndërkombëtarë, etj. Po shqiptarët ku janë? Ne kemi trupa akademike dhe juristë me përvojë. Duheshin debate dhe një njohje e madhe mbi reformën për të kuptuar se çfarë po ndodh. Diçka e dytë që ka çaluar në këtë proces është ajo që ua kam thënë edhe vetë dy ambasadorëve edhe roli që duhet të kishin ata. Ata janë ndërmjetës e misionarë që përcjellin politikën e shtetit të tyre. Ata duhet të jenë negociues dhe nuk duhet të jenë predikues e protagonistë. Ata e tejkaluan rolin e tyre nga zelli i mirë për të arritur. Ata duhet të kishin rol të fortë dhe jo të kontestoheshin, ata duhet të vendosnin ultimatum për partitë në Shqipëri. Të treja partitë pas diskutimeve duhet ët dilnin me një draft të vetëm. Me këtë rol protagonist ata nuk patën rolin e duhur. Në shtator doli një draft unilateral i shkruar vetëm nga PS, PD çoi draftin e tij që nuk u mor aspak në konsideratë. Komisioni i Venecias e rrëzoi këtë draft për disa elementë, ky duhet të ishte moment i presionit të dytë të ndërkombëtarëve për një draft të përbashkët. Politika shqiptare përgjatë këtij viti dëshmoi paaftësinë për të bërë kompromise madhore për një çështje madhore. O nuk ka qenë fuqia imponuese ose ajo negociuese e ndërkombëtarëve. PD dërgoi draftin e dytë në Venezia dhe sërish nuk u arrit bashkëpunimi. PD duhet të ishte më e qartë në sqarimin publik të qëndrimit të saj dhe të argumenteve të saj. Rama nuk i ka marrë fare në konsideratë propozimet e PD, ishte një komision i përbashkët por vendimet ishin të njëanshme. Kjo reformë që të jetë legjitime duhet të marrë votat e të gjithë parlamentit.
Pse e kanë bllokuar Basha dhe Berisha këtë proces, ndihen të intimiduar?
Këtë pyetje duhet tua bëje atyre, por nuk besoj se është kjo arsyeja. Nëse ka artikulime që kanë vajtur deri në propozime konkrete në letër për një rol shumë më thelbësor të ndërkombëtarëve se sa këto që ka në propozimin e fundit hibrid i ke nga PD. Komisioni i Venecias instrumentin e vetingut nuk e sugjeron si shumë të fortë sepse mund të sjellë edhe vendime të padrejta. Vetingu është shqyrtimi i të gjithë aspekteve të figurës së një personi para se ta emërosh gjyqtar, por diçka të tillë e garanton edhe ligji i sotëm. Por tani bëhet fjalë për praninë e detyrueshme të ekspertëve ndërkombëtarë. PD ka propozuar që kandidatët për institucionet bazë si KLD, Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Lartë të Prokurorisë t’i kalonte në veting komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë. Nuk mund të bëjmë drejtësi me paragjykimin që 100% e gjykatësve tanë janë të korruptuar. Nuk mund të ndërtohet drejtësi me një proces që nuk është garantuar se është i drejtë.
Se pari te kisha kete fytyre qe ke ti, kurre nuk do te shfaqesha ne publik. Nuk doja ta thoja kete por meqe po flet per ” fytyra ” eshte mire qe dikush ta thote. Se dyti, kushdo mund te flase e te jape moral por nje individ si ti, i pacipe dhe pa karakter, ne ekstrem, duhet te zhduket nga skena politike. Ti, thjesht, ke frike per krimet qe ke kryer sa here ke pasur poste shteterore.