Një burrë ka humbur jetën në Libohovë nga antraksi duke u bërë zyrtarisht viktima i parë i kësaj sëmundjeje të paktën vitet e fundit. Viktima është Enver M., 56 vjeç, banor i Libohovës, i thanë agjencisë NOA.al burime në vendngjarje. I ndjeri u dërgua në gjendje të rëndë pak para fundjavës në spitalin rajonal të Gjirokastrës por të nesërmen ndërroi jetë pasi prekja nga virusi i antraksit ishte fatale.
Mjekët e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, thanë se 56-vjeçari ishte prekur në lëkurë dhe në organet e brendshme. Dr. Noris Doraci, mjek në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Gjirokastër (DSHP), duke folur me Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA, jep më shumë detaje mbi rastin: “Ditën e premte u identifikua rasti i antraksit intestinal i një bariu nga Libohova. Pacienti erdhi me vonesë në spitalin e Gjirokastrës. Mori trajtimin e duhur, por të shtunën vdiq”.
Dr.Doraci thotë se DSHP pasi u informua nga spitali ka shkuar në vendngjarje dhe ka bërë dezinfektimin e vatrës. Gjithashtu u trajtuan dhe gjithë personat që kishin pasur kontakt me të, sidomos familjarët. NOA mësoi se vdekja e 56-vjeçarit erdhi pasi një nga bagëtitë ka qenë e pavaksinuar. Ka qenë një dele që mbarështonte i ndjeri, e cila kishte qenë e pavaksinuar. Viktima e ka therur delen dhe e ka çuar në shtëpi për ta gatuar. Dyshimet janë se para se ta çojë, ai ka ngrënë një pjesë të deles, ndoshta shpretkën, të patrajtuar me zierje, skuqje apo pjekje. Zakonisht barinjtë dhe kasapët, kur therin bagëti të imta hanë të gjalla pjesë si shpretka dhe të brendshme të tjera të tyre. Kjo besohet të ketë ndodhur edhe me 56-vjeçarin që më pas u infektua me shpejtësi nga antraksi derisa vdiq. Mjeku Doraci jep këshilla të thjeshta për të gjithë qytetarët: “E gjithë popullata duhet të blejë mish vetëm në vende ku tregtohet produkt i garantuar dhe nga ana e mbarështuesve të gjedhit dhe bagëtive të imta të bëhet vaksinimi i tyre”.
Anthrax njihet si sëmundje infektive që prek kafshët dhe njeriun. Në kafshë zhvillohet në formë septicemike, kurse te njerëzit shfaqet më tepër në formë të lokalizuar të puçrrës së zezë (pustula maligna). Në popull kjo sëmundje njihet me emrin “plasja”. Frika nga antraksi ka përfshirë të gjithë vendin. Pak ditë më parë, ministria e Bujqësisë paralajmëroi përhapjen e virusit në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ajo bëri thirrje për marrjen e masave. Një ditë më parë, autoritetet mbyllën tregun më të madh të gjësë së gjallë, në Milot, nga frika e antraksit. Më herët, ministria e Bujqësisë urdhëroi bllokimin e importit të gjedhit, nga disa shtete të rajonit si: Turqi, FYROM, Serbi, Bullgari, Greqi.
Para viteve ‘50 në Shqipëri plasja ka qenë shumë e përhapur dhe shkaktonte dëme të mëdha në bagëti e raste të shpeshta në njerëz. Një vaksinë sistematike e prodhuar në Institutin e Kërkimeve Veterinare në Shqipërinë e para viteve ‘90, solli thuajse zhdukjen e saj.