Kosova nisi sot pasdite procesin e vendosjes së vulës apostile, në mënyrë ceremoniale, në Departamentin për Çështje Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dha dokumentet e para me vulë apostile, për herë të parë pas aderimit së Republikës së Kosovës në Konventën e Hagës për Heqjen e Kërkesës së Legalizimit të Dokumenteve publike të huaja.
Vendosjen e vulës apostile në dokumentet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj e vlerësoi një ditë të veçantë por edhe sfiduese për vendin. “Kjo ka qenë një betejë e madhe që Kosova të jetë pjesë e kësaj konvente pasi që është dashur të sigurohen votat e shumë shteteve anëtare dhe kjo është dëshmia më e mirë që ne nuk bëjmë përpjekje që të anëtarësohemi vetëm në konventa dhe organizata ndërkombëtare por bëjmë përpjekje që ta ushtrojmë sovranitetin dhe ushtrimi i sovranitetit ka të bëj me binificione konkrete që qytetarët e Kosovës mund t’i përfitojnë”, deklaroi ministri Hoxhaj.
Me këtë rast ministri ka paralajmëruar se MPJ do të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim edhe në konventa dhe organizata tjera me interes për qytetarët e Kosovës.
Në 9 qershor 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 83 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër, miratoi Ligjin për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), i prezantuar në emër të qeverisë nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Ai theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi në 14 korrik 2016 për aderimin në këtë Konventë. (java / r.a)