Kryeministri Edi Rama ishte i pari që u largua nga ambjentet e kryesisë së Kuvendit ku zhvilloi takim me kryeopozitrarin Lulzim Basha dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për reformën në drejtësi. Pas largimit të Ramës, mësohet se Meta dhe Basha kanë vijuar diskutimet mes tyre në ambjentet e Kuvendit. Ndërkohë Rama njoftoi përmes Twitter-it se do ta prononcohet në orën 19.00 për fatin e reformës.
Ndërkohë kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi pas takimit se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje bazuar në propozimin e Nuland dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ai bëri me dije se ka autorizuar Oerd Bylykbashin për vijimin e negociatave që pritet të zhvillohen mes palëve.
“Ekzistojnë mundësitë të gjendet zgjidhje bazuar në propozimin e Nuland dhe rekomandimet e “Venecias”, tha Basha.
Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me krerët e mazhorancës
“Së pari dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, për mundësinë për një konsultë me të tre faktorët kryesorë politikë në vend. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i opozitës e vlerësoj këtë si një takim konstruktiv. Në fund të takimit të tre kryetarët e forcave politike kanë angazhuar secili nga një përfaqësues të tyrin për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet finale të Komisionit të Venecias.
Për ne, kjo është një mundësi për të përmbyllur me sukses maratonën e reformës në drejtësi, për të përmbyllur në veçanti draftin kushtetues, natyrisht pas kësaj janë dhe shtatë ligjet.
Negociatori ynë, z.Oerd Bylykbashi ka plotfuqinë për të negociuar një zgjidhje, bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid, tërësisht brenda parametrave të Venecias është dëshmia më e qartë e seriozitetit, e përkushtimit dhe e sinqeritetit të Partisë Demokratike, që e ka parë dhe e sheh reformën në drejtësi si një interes madhor të qytetarëve shqiptarë dhe jo si një kalkulim politik apo një betejë paraelektorale.
Kështu e kemi nisur dhe kështu po e vazhdojmë këtë proces. Uroj që negociatorët që sapo janë mandatuar do të bëjnë një punë të mirë dhe do ta çojnë në konkluzion pozitiv këtë proces për ti dhënë shqiptarëve dhe aleatëve tanë lajmin e mirë”.
****
Pas braktisjes që dy ambasadorët e SHBA-BE i bën takimit me Bashën për shkak të qëndrimit të tij injorues ndaj propozimit të Nuland, takimi Rama-Meta-Basha i është kthyer diskutimit te këtij propozimi raporton Tema. Kryesia e Kuvendit njofton se pika e vetme në diskutim është propozimi hibrid i zv.sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland.
Basha shoqërohet në këtë takim nga deputeti Oerd Bylykbashi, Meta nga Petrit Vasili, ndërsa Rama ishte i vetem.
Dy ambasadorët Lu e Vlahutin e bojkotuan takimin pasi sipas tyre Basha nuk kishte folur për propozimin e Nuland, por për qeveri teknike njësoj si Ilir Meta./a.m.