Rreth 300 mijë banorë të Tiranës do të marrin tashmë një shërbim mjekësor të standardeve më të mira në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1, e vendosur në një godinë të re trekatëshe, rrënjësisht të transformuar dhe të pajisur me aparatura të reja mjekësore. Ata janë përfituesit e drejtpërdrejtë të investimit prej 76 milionë lekë të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin u zgjerua hapësira ekzistuese, u bë rikonstruksioni i mjediseve, si dhe vendosja e pajisjeve të reja mjekësore për të 18 shërbimet e specializuara që ofron. Ambientet e reja u vizituan sot nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Poliklinikë Nr.1 është një pikë e rëndësishme në zinxhirin e kujdesit shëndetësor parësor. Janë 10 qendra shëndetësore që referojnë pacientë në të, e cila me 18 specialitetet e saj ka realizuar 256 mijë vizita në vitin 2015. Një pjesë e rëndësishme e investimit është edhe sigurimi i lehtësirave për të gjithë grup-moshat dhe grup-sëmundjet, përfshirë shërbimin me ashensor, pandus dhe aksesorë të tjerë ndihmës për personat me aftësi të kufizuara, sistem qendror kondicionimi, si dhe ka të garantuar burimin dytësor të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në 24 orë.
Kushtet bashkëkohore, veçanërisht pasja në dispozicion e pajisjeve të reja, u mundësojnë 36 mjekëve specialistë, 36 infermierëve dhe 15 laborantëve shërbim më cilësor dhe performancë më të mirë në punë, ndërsa për qytetarët, shkurtimin e kohës së shërbimit.
“Jemi shumë të kënaqur me punën që është bërë. Është vënë re një rritje e performancës në punë. Data e planifikimit është afruar, duke qenë se edhe laboratori është automatizuar, ka qenë tre javë tani në një javë, maksimumi 10 ditë,” – u shpreh Marsela Haruni, Mjeke në Shërbimin e Laboratorit Bio-Kimik.
Kardiologia Anila Shahini shpjegon se tashmë ata ndjehen mirë edhe si profesionistë, pasi janë në gjendje të ofrojnë shërbime që deri dje e kishin të pamundur.
Edhe rehabilitimi tërësor i Poliklinikës Nr. është pjesë e programit të investimeve në infrastrukturë dhe plotësimin e shërbimeve me pajisje mjekësore në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
“Kjo është pjesë e programit për të kompletuar të gjithë vendin me shërbim sa më të mirë të kardiologjisë. Hapëm 11 kabinete në spitalet rajonale që nuk ishin. Në Tiranë i hapëm edhe në poliklinikat e specialiteteve, në mënyrë që njerëzve t’u ofrojmë shërbim sa më të shpejtë e sa më të afërt, ta edhe shkarkojmë QSUT dhe aty të merren me raste vërtet të komplikuara që duhet të bëjë një spital terciar. Edhe kardiologët këtu kanë mundësi të bëjnë një shërbim shumë më të plotë e shumë më cilësor ndaj pacientëve,” – u shpreh ministri Beqaj.
Ndërsa Kryeministri nënvizoi se investimet e viteve të fundit në shëndetësi kanë sjellë rezultate të dukshme, por diferencën nuk e bëjnë fondet, por vizioni e qasja re të qeverisë.
“Nuk mbaron asnjëherë dhe në asnjë vend nevoja për më shumë cilësi në shërbimin shëndetësor. Ne përballemi me një inerci të jashtëzakonshme rrënimi e shkatërrimi dhe të perceptimit e besimit të njerëzve, por jemi krenarë se tek shëndetësia kemi bërë investime si asnjëherë më parë. Mbi të gjitha, nëse në krahasimin fonde me fonde, diferenca nuk është shumë e madhe me të kaluarën, ajo që është e rëndësishme është se ne kemi programuar shumë më mirë, kemi zbatuar shumë më mirë dhe gjithçka e kemi bërë në kuadrin e një vizioni që gjërat ndërtohen hap pas hapi.”
ma.me