Përse Ilir Meta vendosi tani të “tregojë dhëmbët”? Në fakt kjo është një pyetje përgjigjet e të cilave nuk janë shumë të vështira për t’u dhënë. Ndërsa vëmendja është përqëndruar tek debatet për Reformën në Drejtësi, një episod, i cili duket pak “periferik”, por në një vend normal do të kishte tronditur opinionin publik e politik, ka kaluar pa u vënë shumë re. Ai ka të bëjë me gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e cila është kërkuar të pezullohet nga kjo detyrë me akuzën për korrupsion në vlera 50 mijë euro për dhënien e një vendimi në favor të një çështje pronësie. Sekser i kësaj afere ka qenë bashkëshorti i saj, Odhise Andera, një zyrtarë i lartë ky në krah të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Ndaj Odhise Andreas është dhënë masa arrest me burg.
Por të dy këto janë larguar nga Shqipëria, pasi “drejtësia” u ka bërë nderin e fundit, duke i informuar përpara se të ndaloheshin nga policia. I gjithë ky zhvillim duket se është përkthyer në një problem serioz për Metën, po të kihet parasysh se gjyqtarja në fjalë ka qenë protagoniste në dhënien e pafajsis kryetarit të Kuvendit nga afera e dhënies me koncesion të një hidrocentrali. Gjithëshka u zbulua falë një përgjimi të realizuar nga ish- ministri i Energjitikës, Dritan Prifti. Por çështja u mbyll në Gjykatën e Lartë dhe Meta mori pafajsinë. “Në këmbim” të favorit bashkëshorti i gjyqtares u punësua në Kryesinë e Kuvendit të drejtuar nga Meta. Por siç del është personazh qëndror në rolin e sekserit të pazareve të bashkëshortes. Kjo duket se i ka ngjallur Metës instiktin e vetëmbrojtjes, duke “treguar dhëmbët” në një provë force për të treguar se “i vlen lëkura”.
Natyrisht një shije jo të mirë duket se i ka lënë edhe arrestimi i ish zv/drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, eksponent i LSI-së, për afera milionshe me tendera. Arrestimi i tij ka thyer “mitin” e eksponentëve të LSI-së, të cilët mund të vidhnin sa të donin e nuk u “hynte gjemb në këmbë”. Një zhvillim tjetër ka të bëjë edhe me faktin se Meta është jo pak i shqetësuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, nëse nuk miratohet Reforma në Drejtësi.
Meta është në një pozitë aspak komode, pasi nga njëra anë nuk mund të dalë hapur kundër SHBA- BE për të refuzuar Reformën, por nga ana tjetër është i shqetësuar se nëse nuk miratohet Reforma vendi detyrimisht shkon në zgjedhje të parakohshme. Në thelb Meta nuk do as reformën, sipas variantit që mbështet SHBA dhe BE, (nuk do vettingun nga ndërkombëtarët edhe ai si Berisha dhe Basha), por nga ana tjetër nuk do as zgjedhjet e parakohshme. Një ekuacion i vështirë. Ndaj ai “tregoi dhëmbët” për të treguar se nuk mund të jetë një faktor që mund të neglizhohet dhe se ai nuk mund të jetë jashtë kompromiseve të zgjidhjeve për Reformën në Drejtësi.
Meta i druhet një dakordësie Rama- Basha për Reforfmën, dakordësi që mund ta linte atë vetëm me “thërrmiat” që mund të binin nga kjo tryezë, ndërkohë që ai është lojtar i ‘llokmave” të mëdha. Ndaj nuk hezitoi të “tregojë dhëmbët” duke lënë të kuptohet se nuk mund të neglizhohet. Madje kërcënoi të tjerët se mund t’i nxjerrë në “pension” të parakohshëm. Në fakt ky kërcënim mund të merrej seriozisht, por jo në rastin e një koalicioni të tij me Bashën anti Reformë.