Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti takon ish zv/Sekretarin e Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetar i Bordit të Institutit Amerikano-Hebraik për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Richard Shifter dhe i bën donacion disa artifakte Muzeut të Holokaustit në Washington.
Gjatë vizitës në Muzeun e Holokaustit në Washington D.C, Panariti takoi Radu Ioanid, Drejtori i Arkivës së këtij muzeut.
Me këtë rast, Panariti i ka bërë një donacion Muzeut të Holokaustit, artifakte që i përkisnin familjes së tij, e cila shpëtoi një familje hebreje gjatë kohës së luftës së dytë botërore duke e ndihmuar të kalonte kufirin nga Greqia në Shqipëri.
Ministri Panariti vendosi t’i durojë këto artifakte muzeut, për të dhënë kontributin e tij në njohjen e kësaj historie nga komuniteti hebre dhe nga të gjithë vizitorët e këtij muzeu. Këto artifakte do të hyjnë direkt në patrimoniumin e këtij institucioni dhe do të certifikohen si autentike.
Akti i donacionit u nënshkrua nga Panariti, në prezencë të Drejtorit të Arkivës së Muzeut të Holokaustit, Radu Ioanid. Më pas ata, vizituan muzeun dhe takuan përfaqësues të komunitetit hebraik në Washington.
Nga ana e tij, Drejtori i Arkivës së Muzeut të Holokaustit, Radu Ioanid, falënderoi ministrin Panariti, për donacionin e bërë dhe nënvizoi faktin se, Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë që nuk u ka dorëzuar kurrë një hebre nazistëve.
BW/d.i.