Grushti i shtetit i dështuar në Turqi tregoi mobilizimin e menjëhershëm të strukturave ligjzbatuese për vënien para drejtësisë të personave përgjegjës që ideuan skenarin e këtij komploti të rrezikshëm dhe mr pasoja të rënda për shtetin turk. Në 14 shtator 1998 Shqipëria përjetoi një grusht shteti të ngjashëm me atë të Turqisë, por, ndryshe nga ajo që ndodhi në Turqi pas dështimit të grushtit të shtetit, në Shqipëri të gjithë komplotistët e 14 shtatorit 1998 janë amnistuar, përfshirë këtu dhe ideatorin e këtij skenari, Sali Berishën, që në atë periudhë ishte kreu i opozitës shqiptare.
Prej 18 vitesh dosja e kësaj ngjarjeje të bujshme, ku Sali Berisha tentoi të rrëzojë me dhunë qeverinë “Nano” të kohës dhe me forcën e armëve dhe tankeve të marrë pushtetin, qëndron e arkivuar në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, e cila, megjithëse çoi në gjyq disa prej organizatorëve, sërisht në tetor të 2007-ës ka tërhequr nga Gjykata e Tiranës dosjen penale ndaj të pandehurve, duke e arkivuar atë përfundimisht dhe mos lejuar gjykatën të dalë me një vendim konkret.
Arkivimi i kësaj dosjeje nga Prokuroria është bërë gjatë vitit 2007, kur vendin e drejtonte kryeministri Sali Berisha. Nëpërmjet mekanizmave të tij, Berisha edhe këtë herë ndërhyri në punët e drejtësisë, duke sjellë amnistimin e bashkëpuntorëve të tij në grushtin e shtetit 1998.
Në atë periudhë hetimet për grushtin e shtetit të orkestruar nga opozita pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, janë udhëhequr nga prokurorët Nasip Naço (më pas ministër i qeverisë Berisha!) dhe Ylli Bedalli. Ndërkohë që Berishës i janë dërguar plot 40 fletë-thirje për t’u paraqitur në prokurori për të dhënë dëshminë e tij, në asnjë rast ai nuk ka pranuar të paraqitet. Pavarësisht kësaj, prokurorët kanë çuar dhjetëra persona si të pandehur në gjyq si: Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Eqerem Spahia, Frrok Gjini, Ilir Zhilla, Sali Shehu dhe Shemsi Prençi. Kjo ishte vetëm përsa i përket dosjes së pare, pasi në dosjen e dytë ishin të pandehurit e tjerë si: Sali Lusha, Dem Dollapi, Kliton Dobrani, Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gezim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi, Uk Çelkola, Myftar Lumneshi dhe N.N. ish-agjent jugosllav.
Pas 11 viteve gjykim
Vendimi për arkivimin e dosjes të grushtit të shtetit në 14 shtator 1998 është marrë pas 11 vitesh maratonë gjyqësore, pasi dosja kishte që prej 1999 që gjykohej në gjykatën e Tiranës. Në 2007 prokuroria vendosi arkivimin e “kryengritjes” së 14 shtatorit 1998, duke e cilësuar ngjarjen si një krim të zakonshëm, “vjedhje me armë” e mbetur pa autor. Mungesa e këtyre autorëve, sipas prokurorisë, ka bërë që dosja penale me 28 të pandehur shqiptarë dhe tre ish-agjentë të shërbimeve sekrete jugosllave të pushohet e dhe të pezullohet për mungesë provash. Këtu 28 të pandehurit po gjykoheshin në tri dosje të ndara nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Ilir Çeliku e Artan Broci.
Vendimi për tërheqjen e dosjes ka ardhur në kohën kur prokurori i çështjes duhej të lexonte konkluzionet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve Sali Lusha, Izet Haxhia, Dem Dollapi, Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe N.N. ish-agjenti jugosllav, që gjykoheshin nga gjyqtari Gjin Gjoni. Përfaqësuesi i akuzës në atë kohë kërkoi tërheqjen e akteve hetimore me qëllim plotësimin e dosjes. Kjo kërkesë u miratua nga gjyqtari Gjoni.
Gent Xholi: Nuk ishte kryengritje
Pas kësaj, kjo dosje nuk u rikthye kurrë në gjykatë, pasi disa ditë më vonë, me firmën e kryeprokurorit të kryeqytetit, Gent Xholi, kjo dosje u arkivua përfundimisht. Asnjëherë nuk dolën argumentat juridike të arkivimit të kësaj dosjeje, por u përfol se argumentimi i këtij veprimi ka qenë që të gjashtë të pandehurit e dosjes së parë nuk kanë kryer veprën penale të “Kryengritjes” në trazirat e 14 shtatorit 1998, në ditën e varrimit të deputetit Azem Hajdari. Nga rivlerësimi i kryer, ka rezultuar se ato veprime u përkisnin tri veprave të tjera penale, duke bërë që akuza ndaj tyre të riformulohej. “Në analizën e provave dhe fakteve të grumbulluara që nga dita e ngjarjes e deri më tani, rezulton se ngjarja e 14 shtatorit 1998 nuk ka qenë një “kryengritje”, pasi të akuzuarit nuk kishin si qëllim të tyre cenimin e Rendit Kushtetues, por vetëm zëvendësimin e qeverisë me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme” – thuhet në dosje. Më tej në të cilësohet se “kryengritja” duhet të kishte një plan veprimi, organizatorë, etj.
Kërkesat për tërheqjen
Vetë drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, prokurori Genti Xholi, me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama, është caktuar si përfaqësues i akuzës në dy dosjet e tjera penale që gjykoheshin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me gjyqtarët Artan Brocin dhe Ilir Çeliku. Ky i fundit, që nga marsi i vitit 1999 e deri në tetor të 2007, kishte në dorë dosjen penale ndaj të pandehurve Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Ekrem Spahia, Frrok Gjini, Ilir Zhilla, Sali Shehu, Shemsi Prençi dhe N.N. ish-agjenti Jugosllavë, edhe këta të akuzuar për ngjarjen e 14 shtatorit 1998. Por, në seancë ishte prokurori Xholi, i cili kërkoi nga gjyqtari Çeliku që të pranojë kërkesën e tyre për tërheqje të akteve, me arsyetimin e riformulimit të veprës penale për të cilën akuzohen “Kryengritje”.
Gjyqtari Çeliku, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit Xholi, që citoi edhe dosjen e parë, që tashmë ishte pushuar, vendosi të pranojë kërkesën duke vendosur përfundimisht kalimin e akteve hetimore në prokurori. Të njëjtin fat ka pasur edhe dosja e tretë me të pandehur Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gezim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi, Uk Çelkola dhe N.N. ish-agjent Jugosllav, që gjykoheshin nga gjyqtari Artan Broci.
Shqiptarja.com/d i