Që prej dy javësh, treni i linjës Shkodër-Tiranë nuk funksionon, duke pezulluar kështu lëvizjen e udhëtarëve.
Burime pranë Drejtorisë Hekurudhore Shkodër bënë me dije se ky shërbim është pezulluar pa afat, pas një urdhri zyrtar që ka mbërritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës.
Në këtë urdhër thuhet se ndalohet pa afat lëvizja me trenin e linjës Shkodër-Tiranë deri në një njoftim të dytë që ky shërbim të nisë normalisht. Burimet e mësipërme pohuan se mungesa e karburantit, borxhet e akumuluara si dhe amortizimi i hekurudhës, janë shkaqet kryesore të kësaj situate. Ndërkohë që transporti i mallrave nuk është paralizuar.
Po të njëjtat burime sqaruan se shkak kryesor i pezullimit të lëvizjes së trenit është bërë amortizimi i linjës hekurudhore në disa segmente të saj, shkruan gazeta Shqiptare. Nisur nga ky fakt, është vendosur që ky shërbim më mirë të pezullohet sesa të vihet në rrezik jeta e udhëtarëve. Gjithashtu, burimet thanë se pritet që traseja të riparohet brenda një kohe të shkurtër, por deri atëherë linja e trenit Shkodër-Tiranë nuk do të funksionojë për udhëtarët.
Në fakt alarmi ka disa vite që është ngritur nga vetë drejtues të hekurudhës në Shkodër, që kanë denoncuar problemet që kanë të bëjnë më infrastrukturën e amortizuar dhe lëvizjen e ngadaltë të trenave për shkak të vjedhjes së shinave dhe bulonave të hekurudhës. Kjo gjendje rrezikon të çojë drejt falimentit sektorin hekurudhor.