Ajo që ndodhi mbrëmë në Nisë të Francës riktheu sërish te francezët tmerrin e përjetuar nëntorin e kaluar. Pak pas mesnate, një person hyri mes turmës duke u shkaktuar vdekjen 84 personave dhe duke lënë të plagosur shumë të tjerë. Ngjarja ndodhi në një rrugë shumë të frekuentuar, ku qindra njerëz ishin mbledhur për të festuar.
Por mes dhjetëra historish humbjeje e dhimbjeje për familjarët, ka një lajm të mirë. Një vogëlush vetëm 8 muajsh është gjetur nga familjarët, pasi konsiderohej i zhdukur.
Fëmija kishte humbur në momentet e panikut që pasoi sulmin, por është gjetur nga disa kalimtarë, të cilët e kanë dërguar në shtëpinë e tyre, për t’u lidhur më pas me prindërit.
Pak minuta para ngjarjes, fëmija ndodhej në gjumë në karrocën e tij pranë prindërve. Por në momentin e atentatit, për shkak të konfuzionit të krijuar, karroca bashkë me fëmijën është zhdukur.
Menjëherë prindërit kanë lëshuar një apel në rrjetet sociale, ku kanë postuar foto të fëmijës. Falë rrjetit, të afërmit e fëmijës kanë arritur të lidhen me familjen që kishte gjetur vogëlushin.
Kaosi që pasoi sulmin e së enjtes bëri që shumë fëmijë të humbnin. Sipas autoriteteve, të gjithë fëmijët e gjetur të pashoqëruar në rrugë janë dërguar në stacionin e policisë në Auvare.
ma.me