Duket se edhe për LSI-në propozimi i zyrtares së lartë amerikane Nuland nuk shikohet si një zgjidhje për votimin në Kuvend të draftit për Reformën në Drejtësi. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vetëm pak minuta përpara se kryeministri, Edi Rama, të bëj publik qëndrimin e tij më të fundit për Reformën, ka bërë një deklaratë për shtyp ku vlerëson nga njëra anë propozimin Hibrid për implementimin e Rekomandimit 88 të Opinionit Final të Komisionit të Venecias nga Nuland, por qartazi lë të kuptohet se duhet parë një zgjidhje tjetër që mund të arrihet nëpërmjet një takimi mes Ramës dhe Bashës. Meta e vlerëson propozimin amerikan thjeshtë si “një përpjekje për finalizimin me sukses të Reformës në Drejtësi”.
“Kryetari i Kuvendit vlerëson se palët janë shumë pranë arritjes së kompromisit dhe bën thirrje që në orët në vijim të ndërmerret çdo përpjekje për përafrimin përfundimtar të qëndrimeve mes palëve në mënyrë që data 21 korrik të jetë një histori suksesi për vendin dhe 30 vitet e ardhshme dhe jo një histori fajtorësh për politikën e ditës”, thekson Meta në deklaratën e tij për shtyp.
Sipas kreut të Kuvendit, me vullnet të mirë dhe përmes një komunikimi konstruktiv dhe pa paragjykime në çdo nivel, përfshirë edhe një takim mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës, mund të kapërcehet me sukses dhe gjendet një zgjidhje në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për të vetmen çështje që mban palët larg kompromisit.
“Kryetari i Kuvendit shpreh besimin se kjo është e vetmja rrugë për t’u dhënë shqiptarëve reformën e domosdoshme në drejtësi, konsolidimin e shtetit ligjor dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”, përfundon deklarata e Keut të Kuvendit.
Me. Ar