“Ishte tmerr të shikoje fëmijët e vdekur. Organet e dala, kokat e shtypura, as në luftë nuk i shikon.”. Ky ishte rrëfimi tronditës i Ilirjana Berberit, e cila ishte një prej dëshmitareve të sulmit terrorist, i cili i mori jetën 84 personave.
Berberi pohoi në një lidhje telefonike për ‘News24’ se kishte parë tmerr me sy, ajo dhe bashkëshorti i saj, ndërsa theksoi se ata ishin të terrorizuar nga sulmi. “Policia bëri thirrje, “largohuni, terroristët”! Ishte tmerr të shikoje fëmijët e vdekur. Organet e dala, kokat e shtypura, as në luftë nuk i shikon. Është bërë thirrje të mos dalë asnjëri nga shtëpia, nga lokalet. Deri në 2:30 të mëngjesit nuk ishte ardhur djali im 19 vjeç. Pastaj u bashkuam. Vetëm qaja, mundoheshin të më qetësonin. Njerëzit janë shumë të tmerruar. Edhe nëpër hotele çdo gjë e mbyllur.
“Kamioni ishte i madh, ai mori gjithçka doli përpara në trotuar. Njerëzit filluan të bërtisnin, të vraponin… nuk dinim as nga të shkonim. Situata në Nice është shumë e rëndë. Isha bashkë më bashkëshortin duke parë fishekzjarrët dhe po kalonim shumë bukur. Pasi mbaruan, kemi ecur vetëm 50 metra dhe pamë policinë me antiplumb, makinat me sirena që hynë mes turmës. Aty e kuptuam se diçka po ndodhte”, tregoi Berberi momentet e para.
Ndër të tjera Berberi pranon se në këtë zonë jetojnë shumë shqiptarë, por ende nuk kanë dijeni nëse ndonjë prej tyre mund të ketë pësuar nga kjo ngjarje e rëndë. “Po, këtu ka shumë shqiptarë, po mundojmë të kontaktojmë sa më shumë për të parë nëse janë mirë”, tha ajo.
BW/d.i.