Dy ditë përpara sulmit në Nice, Shefi i Inteligjencës së Francës kishte deklaruar se ekstremistët islamikë do rrisin aktivitetin e tyre për të vrarë njerëz.
Vetëm dy ditë përpara sulmit të Nices, Shefi i Inteligjencës së Francës kishte deklaruar se ekstremistët islamikë, si ata qe kryen valën e sulmeve në Paris vitin e kaluar, do të rrisin aktivitetin e tyre për të vrarë njerëz duke përdorur makina me armë dhe bomba për të krijuar panik dhe terror.
Patrick Calvar, i cili drejton Agjencinë e brendshme të Sigurisë, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurimit bënë të martën publik raportin 300 faqesh ku u zbuluan gabime të shumta të inteligjencës, dështimi i të cilave solli vdekjen e 147 njerëzve nga sulmet terroriste në Francë.
Disa shoqata që përfaqësojnë viktimat dhe familjet e tyre u takuan ditën e martë me ministrin e Brendshëm, Bernard Cazeneuve, i cili më parë ka refuzuar një nga 40 propozimet e përfshira në raport për krijimin e autoritetit të stilit amerikan të inteligjencës.
Por pa e menduar gjatë, ai hodhi poshtë idenë e rikonfigurimit të shërbimit të inteligjencës, citohet Express.
Ndërkohë Patrick Calvar nuk u tërhoq nga deklarata e tij para komisionit kur tha se ai parashikon një evolucion në mënyrën se si ekstremistët do të kryejnë sulme në Francë dhe në Perëndim duke përdorur teknika që mund të vrasin më shumë njerëz njëkohësisht.
Ai gjithashtu ngriti mundësinë e përdorimit të bombave me lëndë kimike nga ana e ekstremistëve. “Nuk mund t’i them të gjitha”, tha Calvar para komisionit.
Edhe pse ai nuk dha hollësi se kur pritet një qasje e tillë sulmesh, duket se kamioni në Nice nuk priti shumë për të shkaktuar një tjetër tragjedi për Francën. (b.an)