Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Fill pas përfundimit të mbledhjes, Vasilika Hysi deklaroi se shpreh keqardhje për bojkotin e opozitës gjatë ditës së sotme, pasi ajo kishte shprehur dakordësi për këtë projektligj.
“Është ligji më i rëndësishëm sepse suksesi i reformës do të varet sesa do të luftohet korrupsioni. Ajo që do doja të theksoja se ndihem e keqardhur që opozita nuk ishte e pranishme. Ajo ishte shprehur pro këtij ligji, dhe sot nuk ka qenë prezent. Është një pr.ligj me rëndësi dhe është bërë nga ndërkombëtarët.”, tha Hysi.
Deputeti Ulsi Manja ftoi të githë aktorët e sistemit të drejtësisë që të japin komentet e tyre në funksion të përmirësimit të projektligjeve që po diskutohen në komisionin e posaçëm.
“E gjitha paketa e projektligjeve që po diskutohet ka qenë e hapur dhe vazhdon të jetë e hapur në fazën e diskutimit nen për nen. Çdo gjyqtar e prokuror apo aktor i sistemit të drejtësisë mund ta japë komente në funksion të përmirësimit të projektligjeve. Përsëri vlen e njëjta ftesë për të gjithë aktorët”, tha Manja.
Sipas deputetes Vasilika Hysi këto propozime duhet të bëhen deri të premten kur do të bëhet edhe diskutimi i projektligjeve.
“Në këtë ligj roli i ndërkombëtarëve ka qenë i pranuar që në fillim. Ne nuk mund të presim pafundësisht, pasi varemi nga procedurat. Për projektligjet që i kemi diskutim të premten i ftojmë që sugjerimet t’i bëjnë deri këtë ditë. Besoj se paketa duhet mbyllur. Është ngritur një grup pune nga qeverie, nga ministri të ndryshme, për të diskutuar për paktën financiare që përfshin rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët”, tha deputetja Hysi./bw/a.k