Të gjithë e dinë që Vincent van Goghu ka prerë veshin e tij të majtë. Por qysh kur kishte ndodhur kjo ngjarje fatale para afërsisht 128 viteve, ka pasur debat të vazhdueshëm lidhur me peshën e këtij veprimi që ndodhi në Arles të Francës, në dhjetorin e vitit 1888.
E kishte prerë ai thjesht një pjesë të vogël të veshit të tij apo e kishte këputur të tërin? Shkrimtarja dhe historiania Bernadette Murpthy, gjatë hulumtimeve që ka bërë për jetën e post-impresionistit holandez për një libër të ri, ka zbuluar një dokument në arkivin amerikan, i cili mund t’u japë fund dilemave, shkruan “Neë York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
Një shënim i shkruar nga Félix Rey, mjeku që e kishte trajtuar Van Goghun në spitalin e Arlesit, që përmban vizatimin e veshit të prerë tregon se artisti në të vërtetë e kishte prerë gjithë veshin.
Letra dhe vizatimi do të ekspozohen për herë të parë në ekspozitën “On the Verge of Insanity” në muzeun që mban emrin e Van Goghut në Amsterdam që do të hapet të premten dhe vazhdon deri më 25 shtator, e që përmban edhe dokumente të tjera të paekspozuara më parë dhe artefakte që provojnë të sigurojnë prova më të detajuara lidhur me sëmundjen mendore të piktorit me nam.
Ekspozita do të përfshijë gjithashtu rreth 25 piktura dhe sende të tjera, siç është një revolver me të cilin Gogh mund ta ketë vrarë veten, kanë thënë zyrtarë të muzeut.. (b.an)