Në Tiranë është zhvilluar sot takimi i katërt i vendeve të “Energy Charter”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama. Në fjalën e tij, kryeministri e vuri theksin tek potencialet e zhvillimit në sektorin energjetik, duke sjellë në vëmendje aksionin kundër informalitetit në këtë sektor, në kuadër të të cilit u firmosën 350 mijë kontrata të reja konsumatorë- OSHEE dhe kompania arriti të kishte një bilanc pozitiv.
“Për herë të parë nuk patëm nevojë të paguanim asnjë qindarkë sepse kompania pati sukses të përdorte mënyrën e re të administrimit dhe gjithashtu qasjen e re të marrëveshjeve të krijuara dhe arritëm një bilanc që ishte pozitiv. Sot kemi një qendër fantastike të kontrollit dhe menaxhimit të sistemit të transmetimit. Ky takim këtu na bën me të vërtetë krenarë dhe vjen në një moment shumë deçiziv, kur një krizë komplekse gjeopolitike po vë në rrezik sigurinë e energjisë dhe po kërcënon me krijimin e pasojave afatgjata në fushën e sigurisë për Europën dhe vendet e Mesdheut.”- deklaroi Rama.
Lidhur me linjën e interkonjeksionit me Kosovën, kryeministri Rama tha se shpreson që brenda këtij viti të zgjidhet problemi me Serbinë.
“Ne duhet të zgjidhim një problem që mbetet akoma midis Kosovës dhe Serbisë për linjën e interkonjeksionit. Kam shumë shpresë që brenda këtij viti gjithçka do të jetë e zgjidhur. Kjo linjë është një shembull fantastik i potencialit që ka në lidhje me bashkëpunimin rajonal”- tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, “TAP-i është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky gazsjellës do të rrisë shifrat dhe sasinë e gazit në këtë treg energjetik evropian, duke lejuar një numri të konsiderueshëm vendesh që të mos varen vetëm nga një burim i gazit natyror. Për ne thelbësor është bashkëpunimi rajonal. Procesi i ndërveprimit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ka krijuar një horizont tërësisht të ri për të ecur përpara në drejtim të këtij bashkëpunimi rajonal. Bashkëpunimi ne energji është një nga shtyllat kryesore të këtij procesi”.
ma.me