Shtetet e Bashkuara do të pranojnë 10 mijë refugjatë sirianë gjatë këtij viti fiskal ashtu siç ka premtuar Presidenti Barack Obama, ka thënë të martën në mbrëmje Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Washingtoni është kritikuar nga aktivistët se shumë ngadalë po pranon refugjatët e larguar nga konflikti, ndërsa në anën tjetër kundërshtarët e Obamës paralajmërojnë për rrezikun se në mesin e refugjatëve mund të përfshihen edhe terroristë, raporton rel.
“Jam krenar të them se Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi më i madh i ndihmave urgjente, por e pranoj se ende ka shumë për t’u bërë”, e citon Associated Press të ketë thënë Kerry gjatë një darke në Washington për të shënuar festën e Bajramit para se të nisej për një turne në disa kryeqytete evropiane.
Ai do ta vizitojë edhe Moskën ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin me të cilin do të diskutojë për konfliktin pesëvjeçar të Sirisë.
10 mijë refugjatët që do t’i pranojë Amerika para 30 shtatorit janë përzgjedhur nga kampet e Kombeve të Bashkuara dhe aty përfshinë gra të veja, persona të moshuar dhe persona të paaftë fizikisht. (b.an)