Deri në vitin 2020 Shqipërisë i duhet të investojë 1 miliard e 250 milionë euro në sektorin e transportve, pjesa më e madhe e të cilave sigurisht në rrugë.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë prezantoi strategjinë e transporteve për Shqipërinë për vitet 2016-2020, ku janë detajuar të gjitha ndërhyrjet dhe prioritetet.
Kështu, në sistemin rrugor bëhet fjalë për 10 projekte të reja. Bëhet fjalë për një unazë të re në Tiranë, për të cilën kërkohen 108.5 milionë euro.
Po ashtu janë 4 by passe të reja si ai Elbasanit, Tepelenës, Lezhës dhe Gjirokastrës, për të cilët duhen nga 24 deri në 35 milionë euro.
Rrugë nacionale janë parashikuar kryesisht për lidhjet me veriun si: Fushë Krujë-Thumanë, 90 milionë euro; Thumanë-Kashar 47.65 milionë euro; kompeltimi i rrugës Kukës-Morinë 24 milionë euro; kurse për duplikimin e korsive për Milot-Morinë 42.5 milionë euro. Rruga e vetme në jug është ajo e lumit të Vlorës, një projekt prej 70.2 milionë euro, për të cilën janë suiguruar dhe fondet.
Në total, për rrugët e reja duhen 493 milionë euro. Për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohen 128 milionë euro, 55 milionë për ato dytësore, ndërsa për projektet në vazhdim duhen 333 milionë euro. I mbetet qeverisë për të sigurar fondet dhe sipas studimit Shqipërisë i duhet të investojë në transportet 2.5 për qind të prodhimit të brendeshëm bruto në vit.
Studimi parashikon se për transportin hekurudhor duhen investuar 127 milionë euro, pjesa më e madhe për linjën Tiranë-Durrës. Për aviacionin civil studimi parashikon se duhet një investim prej rreth 10 milionë eurosh, ndërsa për transportin detar 8 milionë. 43 milionë të tjerë duhen për transportin intermodal të kombinuar./tch/a.k