Policia greke pas një aksioni të gjera ka goditur një organizatë që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Arrestimet u zhvilluan gjatë ditës së djeshme në zona të ndryshme të Athinës.
Banda e ushtronte aktivitetin e vet në rajonin e Atikës dhe në kryeqytetin helen.
Pesë nga 6 personat e arrestuar janë shqiptarë nga mosha 25 deri në 53 vjeç, ndërsa një tjetër është austriak 41 vjeçar. Ndaj tyre është nisur ndjekja penale për krijimin dhe pjesëmarrjen në organizata kriminale si dhe për shpërndarje të drogave të ndaluara me qëllim përfitimi raporton Express.
Nga informacionet e grumbulluara është arritur të krijohen “profilet” e tyre, struktura hierarkike dhe roli i secilit anëtar në organizatë, e cila merrej me mbledhjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar 1.554 gram kokainë, 1.848- gram kanabis, kërp i papërpunuar, 14 tableta farmaceutike, 4 peshore, 62 fishekë, rreth 24.530 euro, dy makina dhe dy motoçikleta. Të arrestuarit u dërguan pranë zyrës së Prokurorit./a.m.