Sot nis zyrtarisht aventuar e Carlo Ancelottit te Bayern Munih, me prezantimin para shtypit. Duhet të rikthejë qetësinë, e prishur ditët e fundit pas dy largimeve nga klubi. Gjatë javës së kaluar u largua Markus Hörwick, shef i zyrës së shtypit, te Bayern prej 35 vjetësh. Dje u njoftua dorëheqja e Matthias Sammer nga posti i drejtorit teknik, për arsye shëndetësore. Dhe në fakt Ancelotti shfaqet menjëherë i qetë e i disponueshëm. “Carlo. Më quajnë Carlo, mund të më thërrisni kështu”, u përgjigjet në gjermanisht gazetarëve të Bild, të cilët e pyesin se si duhet t’i drejtohen. Tashmë e kupton gjermanisht dhe madje edhe e flet pak. Ndonëse gjatë intervistës kërkon të shprehet në anglisht, sepse flet më shpejt “dhe ju gazetarët nuk keni shumë kohë”, thotë me shaka.
Prezantimi i trajnerit nuk nis menjëherë me klubin, por me kombëtaren gjermane, e eliminuar në gjysmëfinale nga Franca. “Atë ndeshje e fitoi Franca sepse shënoi, ndërsa Gjermania jo. E them gjithmonë: trajnerët mund të kontrollojnë e kushtëzojnë gjithçka përveç rezultatit. Strategjikisht Gjermania zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, deri te penalltia kishte vetëm një skuadër në fushë. Ai episod ishte përcaktues”. Ditët e fundit, Ancelotti ka biseduar edhe me Thomas Müller, simbol i klubit bavarez. “Sigurisht që ishte i zhgënjyer që nuk shënoi, por i thashë të çlodhej e të bëhej gati për sezonin e ri. I thashë edhe që me Italinë patën fat”.
Më pas, Ancelotti tregon edhe prapaskenat që e çuan në Gjermani. “Herën e parë që fola me Rummeniggen më tha që kishin nevojë për një trajner. Unë iu përgjigja që kisha nevojë për një klub. Unë doja Bayernin, Bayern më donte mua, e gjetëm shpejt fjalën. Më 2015, kur mbylla aventurën me Realin, doja të shkoja te Bayern. E kisha nuhatur që Guardiola nuk do të rinovonte. Doja të vija këtu, sepse është një nga klubet më të rëndësishëm në botë. Jam i emocionuar, është nder të jesh këtu. Jam vetëm italiani i dytë që drejtoj Bayernin. I pari ishte Trapattoni dhe, po, e kam parë atë konferencën e famshme për shtyp të tij”, thotë me shaka.
Ancelotti ka vizituar qendrën sportive, ka folur me disa lojtarë (të parët ishin Robben e Badstuber) dhe ka vizituar zyrën e tij. “Nuk kam folur me Guardiolën, por më kishte lënë një mesazh. Kishte shkruar “paç fat” me germa kubitale”.
Në skuadër nuk do të ketë ndryshime. “Lahm do të mbetet kapiten, nuk shoh pse duhet të ndryshoj gjithçka. Xabi Alonso më pëlqen, do të ketë rol të rëndësishëm. Sanchesin e doja, jam i bindur që mund ta ndihmoj. Robben e Ribery? S’ka rëndësi që u skadon kontrata pas një viti. Me mua mund të luajnë të gjithë. Skuadra më pëlqen kështu siç është, nuk do të ketë blerje të tjera. Götze? Kemi folur, ai e di çfarë mendoj”.
GDS/d.i.