Vizitat në burg tek korrieri i drogës Arben Prendi dhe përgjimi i telefonatave zbuluan grupin prej 53 personash të narkotrafikut Turqi, Bullgari, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Italia.
Burime për ReportTv bënë me dije se prej 29 qershor 2015 të gjitha kontaktet që ka pasur Prendi në qelinë e paraburgimit dhe bisedat e tij telefonikë nga burgu janë mbajtur nën vëzhgimin e hetuesve.
Një ditë pas arrestimit rezulton se Prendi ka deklaruar për hetuesit se ka takuar një shtetas nga Fieri në kufirin Kosovë Shqipëri dhe ky (Orges Myftaraj) i ka kërkuar të kryente transportin e disa çantave kundrejt një vlere prej 3000 mijë euro, gjë të cilën Prendi e ka pranuar.
Arben Prendi pranon para hetuesve se ka qenë dakord për të bërë transportin pa e ditur se cfarë kishte brenda çantave dhe po ashtu për herë të parë thotë se shtetasi që i pagoi lekët për çantat e kishte njohur rastësisht dhe kishin folur më parë që Prendi të transportonte për llogari të tij dhe një zetor nga Kosova në Shqipëri.
Hetimet për korrierin e drogës Arben Prendi pas transferimit të prokurorit Anton Martini për të cilin Jurgen Molla investitori i këtij grupi droge pretendon se ka paguar 150 mijë euro, janë ndjekur nga ish kreu i krimeve të rënda Eugen Beci.
Më 7 Korrik ditën në të cilën u finalizua operacioni “Ballkan” prokuroria ka kërkuar 15 vite burg për Prendin dhe gjyqtarja Flora Haradinaj e ka dënuar atë me 14 vite burg.
Hetimet për këtë grup ndodhen në fazën e sekuestrove të pasurive dhe pritet që këtë javë prokuroria të ekzekutojë vendimet e gjykatës për ekzekutimin e sekuestrove preventive mbi pronat e verfikuara deri tani në pronësi të Jurgen Mollës. Shyqyri Kotorrit dhe Nuredin Nazëraj për të cilët ka dyshime se investonin para për të trafikuar drogën./Report tv/a.k