Partia Demokratike vijon të denoncojë sipas saj raste të dhunës së përfaqësuesve të mazhorancës ndaj militantëve të opozitës në prag të zgjedhjeve vendore. Pas letrës së hapur të Astrit Patozit, këtë radhë është Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu Arben Ristani që ka denoncuar kërcënimin e drejtuesit të fushatës së PD në Delvinë Pandi Zhonga. Sipas Ristanit, autor i këtij kërcënimi është shtetasi Fatos Llalla dhe që sipas tij është një njeri i afërt me kandidatin e LSI
Prononcimi i plotë i Arben Ristanit:
Ndërkohë që po lexoja letrën e hapur të mikut dhe kolegut tim, Astrit Patozi ku ai fliste për vrasje të zgjedhjeve dhe zgjedhësve në Vorë, më bie zilja e telefonit.
Kryetari i degës së Partisë Demokratike Delvinë, më njoftuan se drejtuesi i fushatës së kandidatit të PD-së, Pandi Zhonga është kërcënuar me jetën e tij dhe të fëmijëve nga Fatos Llalla. Ky i fundit aktualisht Drejtor i zyrës Arsimore Delvinë dhe sigurisht familjar i kandidatit nga LSI.
Terrori i njerëzve të LSI-së në Delvinë ka ditë që u prish rrjedhën normale të jetës, njerëzve të varfër të këtij qyteti. Drejtorat e emëruar nga LSI, sigurisht ish-trafikantë droge, pasi janë kujdesur të pushojnë masivisht nga puna familjet demokrate, sot janë duke drejtuar dhunimin e çdo individi që ata mendojnë se nuk i voton.
Delvinjotët ashtu si edhe sarandiotët që nuk ua kursen dhunën, presionin, largimin nga puna, pasha Koçua, janë të vendosur të përdorin votën e tyre për t’i kthyer kusurin këtyre banditëve.
Po bëjnë gjithçka për të manipuluar zgjedhjet, në Durrës, Kavajë, Vorë, Shkodër, Delvinë e Sarandë. Kanë gjunjëzuar institucionet e pavarura dhe drejtësinë, kanë blerë, korruptuar dhe dhunuar mediat, kanë trembur dhe mbyllur bizneset, presojnë administratën shtetërore etj etj. Duket sikur reja e zezë e diktaturës po mbulon vendin. Është detyra historike e opozitës dhe e Partisë Demokratike që të ringjallë frymën e protestës popullore, me votë dhe mjete demokratike për të shpëtuar vendin nga kjo mënxyrë.