Këndvështrime interesante në shtypin evropian për fitoren e Portugalisë në finalen e madhe të kampionatit evropian.
Është e kuptueshme euforia e shtypit portugez, me gazetën më të madhe sportive, A Bola, që hapet me titullin “Krenari portugeze, jemi kampionë të Evropës”, ndërkohë që në faqet e para bie në sy fotografia e Ronaldos.
I kuptueshëm edhe trishtimi francez, ndërkohë që në Itali “La Gazzetta dello Sport” dhe “Corriere dello Sport” hapen me fitoren e Portugalisë, ndërsa “Tuttosport” titullin e madh ia kushton kroatit Pjaça, për të cilin thotë se është i Juventusit.
Në Spanjë, vazhdon edhe për finalen e madhe lufta Real-Barcelona. Marca bën lojë fjalësh, teksa titullon në faqen e parë se “Portugali, nuk është ëndërr, është Real(e)”. Katalanasja “Sport” vë titullin kuptimplotë: Lavdi pa Ronaldon, me foton e madrilenit teksa del me barelë, përkrah fotos së skuadrës që feston me trofeun.
shtypi, portugaliaNë Britaninë e madhe, faqet e para janë për tenistin Andy Murray, fitues në Wimbledon, ndërsa suksesi i Portugalisë është me foto të vogla. Edhe këtu ka tituj me kunjë, duke iu referuar Brexit. “Ditë e bukur për të qenë britanik”, duke iu referuar triumfit të tenistit, por edhe fitores së Lewis Hamilton në Formula 1.
D.I.