Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në takimin me zv/ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, se mazhoranca është e hapur për konsensus.
Rama mësohet të jetë shprehur se qeveria mirëpret çdo ofertë për konsensus që vjen nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për reformën në drejtësi dhe e ka garantuar zonjën Nuland për votat e shumicës pro draftit të reformës në 21 Korrik.
Rama rinënvizoi qëndrimin e tij se shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cenon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët tanë strategjike, si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian.
Takimi ka qenë i përqendruar tek reforma në drejtësi, ku Nuland ka konfirmuar interesin strategjik të SHBA për Shqipërinë dhe vendosmërinë që Shqipëria të ruajë aleancën me SHBA.
Duke e falenderuar Kryeministrin për përpjekjen e madhe në rrugën e realizimit të kësaj reforme, Victoria Nuland nënvizoi se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët ta mbyllin këtë proces me suksesin e merituar për Shqipërinë e për popullin shqiptar. shqiptarja.com/