Regjimi komunist i kohës së diktaturës komuniste e pushkatoi dhe groposi në pyll se ishte kundër ideologjisë së tij, por familjarët tentuan prej 25-vitesh për të gjetur eshtrat dhe më në fund ia kanë dalë.
Është ky rasti i Ndrec Mark Zefit nga zona e Mërqis në Lezhë kundërshtarit të fortë të komunizmit që u ekzekutua nga sistemi komunist 65 vite më parë, i cili u zhduk pa nam e nishan në mënyrë misterioze.
Siç thonë dhe familjarët e tij, asnjëherë nuk i kishin ndaluar kërkimet, pasi kishin informacione se ai ishte groposur në malin e fshatit dhe pas qindra tentativave në të gjithë malin ata mundën që të gjenin eshtrat e tij në afërsi të kishës së fshatit.
Ndrec Mark Zefi është vrarë në moshën 41-vjeçare dhe pas gjetjes së eshtrave, tashmë pasardhësit e tij do të kenë një vend ku do të mund të qajnë fatin e tij të hidhur.
Banorë të vjetër të zonës të cilët mbajnë mend ngjarjen thonë se Zefit i është zënë pritë nga forcat e sigurimit të shtetit të cilët më pas e kanë ekzekutuar dhe varrosur në të njëjtin vend.
Eshtrat e gjetura janë rivarrosur sërish, ndërsa sot familjarët pas 65 vitesh do ta dinë varrin ku prehet njeriu i tyre.
/shqiptarja.com/