Rreth 1 muaj pas nisjes së procedurave të parkimit me lekë në rrugët kryesore të zonës bregdetare, Drejtoria e Tatimeve në Vlorë pezulloi punën e “TISPARK”. Shkak janë bërë ankesat e shumta të qytetarëve, të cilët janë gjobitur nga kjo firmë, duke bërë rolin e Policisë bashkiake. Prej ditës së enjte, pronarët e automjeteve kanë gjetur në xhamat e makinave të tyre fletë gjobash, të cilat shkonin deri në 4500 lekë të rinj. Sipas fletës së gjobës, së printuar me numër serie, ku renditen lloji i makinës, targa, ngjyra dhe vendi ku ishte parkuar, pronari i saj është i detyruar që brenda dy ditësh të shlyejë detyrimin.
Ata që e kanë pësuar kanë mbetur të tronditur nga kjo gjobë, që askujt nuk i shkonte mendja se do ta merrte në një parkim privat, që funksionon si i tillë, në bazë të kontratës së firmosur me Bashkinë e Vlorës, në kohën kur ajo drejtohej nga Shpëtim Gjika. Rreth një muaj më parë nisi aktivitetin kjo kompani, pas përfundimit të vijëzimeve dhe përcaktimit të zonave ku çdo shofer duhej të paguante për të parkuar.
Para 5 ditësh, aktiviteti i “TISPARK” nisi normalisht, duke marrë shumën e caktuar për parkim, sipas zonave dhe sipas orareve. Pa asnjë paralajmërim dhe pa e ditur askush nga qytetarët se çfarë do të ndodhte më tej, të enjten ka nisur penalizmi me anë të gjobave. Në fletët e gjobës së “TISPARK” shënohej shuma prej 4500 lekësh që qytetari ishte i detyruar të paguante, për shkak të shkeljes “parkim i papaguar”.
Menjëherë ka pasur reagime të forta civile në qytetin e Vlorës. Shumë banorë të Vlorës kanë bërë apel që asnjë gjobë të mos paguhet për aq kohë sa, në kontratën që kjo kompani ka lidhur me Bashkinë e Vlorës, nuk bëhet publike procedura e penalizmit në rast të mospagimit të tarifës së parkimit, gjobat dhe mënyra sesi do të mund të ankimohen qytetarët për të. “Nuk ka një qartësi nëse ky ‘kupon’ gjobe është titull i miratuar nga Ministria e Financave ose ndonjë instance tjetër shtetërore, si edhe sipas formatit që kërkon Ligji Nr. 10 279, datë 20.5.2010″, komentoi dje një përfaqësues i shoqërisë civile në Vlorë.
Pas reagimeve të forta, drejtoresha e Tatimeve në Vlorë, Pranvera Resulaj, deklaroi se është bërë bllokimi i biletave të të gjithë kompanisë dhe verifikimin e gjobave. “Këto bileta të shpërndara janë në proces verifikimi, pasi dyshohet për shkelje dhe evazion fiskal nga ana e kompanisë private të parkimeve. Për sa u përket gjobave nuk specifikohen në kontratë”, theksoi Resulaj, e cila u bën thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë gjobë në drejtim të kompanisë private të parkimeve. Aktiviteti i kompanisë u bllokua deri në paraqitjen e dokumentacionit të plotë nga ana e kompanisë që provon ligjshmërinë e përdorimit të biletës dhe kontratat me distributorët. /Panorama/a.m.