Rreth 3 mijë raste krimesh u raportuan nëpër forcat e ndryshme policore në Britani në gjysmën e dytë të qershorit pas referendumit për “Brexit”. Kjo shifër përbën një rritje prej 42 përqindësh e krahasuar me një vit më parë.
Krimet e urrejtjes, në fakt etnike, përbëjnë shqetësim për policinë britanike, pasi ka raste të shumta të valës së ksenofobisë, dhe abuzimit racore e vënë re sidomos pas shpalljes së referendumit për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Sipas të dhënave të policisë, numri më i madh i raportimit të këtyre lloj krimesh arriti më 25 qershor, një ditë pas shpalljes së rezultatit. Sipas të dhënave zyrtare, lloji kryesor i veprave penale të raportuara janë “dhunë ndaj personit”, ku përfshihen ngacmimet dhe sulmet fizike, si dhe abuzimet verbal. Më pas, vijnë veprat penale të karakterit të rendit publik dhe dëmtimi kriminal i pronës private.
Ka pasur mjaft raste të publikuara në median britanike nga individë të caktuar që kanë sulmuar pronat e emigrantëve të huajve si atyre polakë, apo edhe abuzimet dhe kërcënimet ndaj banorëve me ngjyrë apo me prejardhje nga India e Pakistani edhe pse ata kanë qenë shtetas britanik të lindur e rritur në Britani.
Dalja e këtyre shifrave zyrtare bëhet në një kohë kur pako me pluhur të bardhë dhe mesazhe urrejtje janë dërguar në tre xhami në Londër.
Sipas zyrtarit të lartë të policisë britanike, Mark Hamilton, “kjo është e papranueshme dhe minon diversitetin dhe tolerancën me të cilën ne do duhet të mburremi si komb”.