Rasti i deputetit Mark Frroku i vënë në pranga nën akuzën e vrasjes së një personi në vitin 1999, ka zënë faqet e para të revistës hollandeze “Elsevier”. Në një artikull të titulluar “Si kriminelët e mëdhenj i shpëtojnë ekstradimit në Shqipëri”, theksohet se kriminelët në Shqipëri nuk e kanë frikë drejtësinë.
Sipas revistës kjo vjen për shkak të sistemit të dobët gjyqësor, dhe si rezultat kriminelët shmangin dënimet, por edhe kërkesat e ekstradimit drejt vendeve europiane.
Si shembull sillet rasti më i fundit i Frrokut, për të cilin revista shkruan, se ai i shpëtoi ekstradimit edhe pse akuzohet për një vrasje në Belgjikë.
Duke cituar profesorin shqiptar, Kujtim Puto, i cili tha se urdhër-arresti u vonua për tre muaj dhe oficerët e policisë vepruan vetëm kur çështja u publikua në media, revista shprehet se edhe sot është ende e paqartë nesë Frroku do t’u dorëzohet autoriteteve në Belgjikë.
“Elsevier” sjell edhe shembuj të tjerë të personave me të shkuar kriminale, që tashmë janë të veshur me pushtet, për të cilët drejtësia shqiptare ka refuzuar kërkesat për ekstradim.
Artikulli citon edhe statistikat e Prokurorisë Shqiptare, sipas të cilave në vitin 2014 policia arrestoi 97 persona në bazë të kërkesave për ekstradim. Në 26 raste, autoritetet shqiptare bindin vendet që kishin bërë kërkesë, që gjykimi të zhvillohej në Shqipëri. Ndërsa në pesë çështje, ekstradimi u refuzua nga shteti shqiptar.
Shkrimi lë të kuptohet se reformimi i sistemit të drejtësisë është një prej prioriteteve kyçe në rrugën e antarësimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.