Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua sot seanca për verifikimin e masës së sigurisë ndaj 7 të arrestuarve ditën e djeshme të dyshuar si pjesëtarë të një grupi trafiku droge.
Ata u njohën sot me masën “arrest me burg”. Sakaq, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vendosë nën sekuetstro pallatet e ndërtuara nga firma “Molla Shpk” në zonën e Yzberishtit.
Sipas burimeve të prokurorisë, për të shmangur një problem social ndaj qytetarëve që kanë blerë apartamente tek kjo firmë po diskutohet mundësia që të vendosen nën sekuestro shumat e paguara nga shtetasit për këto blerje, raporton “TCH”.
Krimet e Rënda shpjegojnë në rrugë jozyrtare se vlera e këtyre aseteve të dyshimta, për të cilat shihet si burim trafiku i drogës, arrin në 10 milionë euro. Ndërkohë, nën hetim pasuror do të vendosen të gjitha pasuritë e të arrestuarve.
Prokuroria pohon se nga hetimi i këtij rrjeti, që prej vitit 2015 janë identifikuar tre episode të trafikut të drogës, në të cilin krerët e organizatës pasi kanë kryer takime për ngarkesat e heroines dhe hashashit kanë dërguar si garanci me njerëz të besuar edhe shuma të konsiderueshme prej 230 mijë eurosh.
Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i pranishëm në konferencën për shtyp, ku u pasqyruan rezultatet e operacionit antidrogë “Ballkan”, tha dje se aktualisht ka nisur edhe hetimi pasuror për të arrestuarit.
Sipas tij, në zbatim të ligjit “Antimafia”, krahas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të trafikut të drogës, kanë nisur edhe veprimet për aplikimin e masave parandaluese ndaj pasurisë./TCH/a.k