Në temperaturën 38 gradë të Belek-ut në Antalia, uji i pishinës nuk mjafton për t’u freskuar. Fëmijë e prindër të moshave dhe kombësive të ndryshme buzëqeshin dhe komunikojnë me gjuhën e mirësjelljes dhe buzëqeshjes, të pamungueshme në resortet e tejmbushura të Turqisë, një javë pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Stamboll.
Sikur të mos kesh hapur televizorin dhe të mos kontrollosh pa pushim rrjetet sociale dhe Websitet përmes celularit dhe Wi-Fi falas, vështirë ta besosh se Turqia është vendi i goditur dhe rrezikuar ashpër nga terrorizmi. Turizmi siguron rreth 30 miliardë dollarë në vit për Turqinë dhe pavarësisht standardeve të larta dhe shërbimin e lavdërueshëm në resorte marrëdhëniet politike të Erdogan me Putin kanë ndikuar në rënien e frekuentuesve nga Rusia.
Megjithate sipas statistikave që gjen në internet, vendin e parë të të huajve që vizitojnë Turqinë e mban Gjermania, ndoshta dhe për shkak të numrit të lartë të turqve që jetojnë atje dhe të dytën rusët. Në fakt, është më e shpeshtë të degjosh gjermanisht, sesa rusisht në ambjentet e pushuesve. Kemi 10 vjet që vijmë cdo vit në Turqi, tregon nje familje nga Finlanda dhe shton se nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë këtë zakon edhe në vitet e ardhshme, pasi kënaqemi shumë.
Kamarierët dhe vajzat me patina që kujdesen për turistët në plazh janë të sjellshëm edhe pse me anglishte të kufizuar. Bien në sy disa elemente që nuk mungojnë dhe më plazhet shqiptare sic është vrazhdësia apo mungesa e elegancës në servirje. Duhet të jetë problem gjenetik, që me sa duket edhe me trajnime të vazhdueshme nuk është e lehtë për t’u tejkaluar. Por ka një ndryshim të cuditshëm edhe pse të shpjegueshëm në portretet e kamarierëve kur u thua se je nga Shqipëria. Një buzëqeshje e pakursyer ua mbush fytyrën, edhe pse nuk e fshehin dot lodhjen e orëve të gjata të punës me tre turne.
Shqipja dëgjohet shpesh dhe fëmijët që janë të parët që e gjejnë gjuhën lidhin dhe miqësitë e shkurtra buzë pishinave. Një familje shqiptarësh që jeton në Madrid, sapo ka mbërritur dhe ndan me shqiptarët e tjerë zhgënjimin për pushimet e planifikuara në Shqipëri. Nuk duruam dot më atje, morëm fëmijët dhe erdhëm në Turqi, thotë babai i dy fëmijëve, pasi shpreh dhe keqardhjen për pamundësinë të shpenzonte para dhe kohë me familjarët e tij.
Për të gjithë patriotët që sakrifikojnë ditët e pushimeve për t’i kaluar në Shqipëri pavarësisht kushteve, raportit krejtësisht të pa drejtë çmim dhe cilësi, vazhdoi shqiptari nga Madridi, duhet pranuar që nuk e duan atë vend sepse në të kundërt do të bënin më shumë për ta ndryshuar dhe për ta bërë më miqësor me turistin, cilido qoftë ai.
Në restortet e Turqisë, ka fytyra të njohura dhe të panjohura nga e gjithë bota. Ka edhe shqiptarë të famshëm me marrëdhënie të komplikuara në Tiranë që nuk u dihet destinacioni. Janë duke pushuar në Turqi. Një orë e 40 minuta fluturim, kushte dhe cilësi të importuar nga vende dhe kultura që e vlerësojnë shërbimin në maksimum, shumë alternativa dhe mundësi për argëtim dhe një “terrorist” i vërtetë prej të cilit nuk të ruan dot as vetja. Fenomeni i mbingrënies dhe rreziku për ta tepruar me dietën si një kërcënim serioz për shëndetin. Të tjerat, janë të kënaqshme dhe inekzistente në Shqipërinë me bregdetin fantastik dhe shërbimet skandaloze.
*Posaçërisht për JavaNews