Anest Koromani është 35-vjeçari i lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve, për të cilin sot Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë urdhër arrest në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Ballkan”, së bashku me 6 persona të tjerë.
Ai së bashku me të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm do të hetohen “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Por Koromani ndodhet aktualisht i arrestuar pasi i riu është kapur me 1 kg heroinë gjatë operacionit të koduar “Body” (Trupi) në Mars të këtij viti së bashku me një tjetër shtetas.
Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se brenda automjetit tip “Mercedez Benz” me targë AA 221 IS që drejtohej nga Anest Koromani, u gjet një sasi prej 561 gramë heroinë.
Sot emri i të riut ndodhej në listën e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.
Policia njoftoi sot se është arrestuar: Anesti Koromani, 35 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve.
Ai së bashku me pjesëtaret e rrjetit të trafikantëve, sipas burimeve zyrtare, “dyshohet se kanë komunikuar dhe janë takuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, Greqi duke u dakordësuar për ngarkesat e lëndës narkotike dhe rrugët e tyre”.
Anesti Koromani së bashku me dy të arrestuar dyshohet të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të këtij aktiviteti për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit./panorama/a.r