Publikohen të tjera sms të gjyqtarit të Beratit, Shyqyri Çobo, i cili ndodhet në arrest me burg, në pritje të gjykimit. Bëhet fjalë për mesazhe të tjera që ia ka dërguar një gruaje në prag divorci.
Panorama shkruan se katër sms e reja janë pjesë e dosjes që ka organi i akuzës me rreth 300 sms të Çobos.
Gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u përgjua nga gruaja e divorcuar, të cilës i kërkonte lidhje intime në këmbim të ndihmës në procesin gjyqësor që ajo kishte me ish-burrin.
Nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo, ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit. Por një nga provat më kryesore të Prokurorisë duket se kanë qenë disa përgjime që gruaja autore e denoncimit i ka bërë gjyqtarit Shyqyri Çobo.
“Me anë të telefonatave në orare të ndryshme kohe, si dhe me anë të SMSve gjyqtari Shyqyri Çobo i ka kërkuar kallëzueses që të takoheshin nga afër, duke këmbëngulur që të takoheshin, pasi donte ta orientonte rreth gjyqit dhe se këtë nuk mund ta bënte në telefon”, thanë hetuesit.
Sipas tyre, ajo e ka pranuar takimin. Takimi ka ndodhur te një lokal në afërsi të Gjykatës së Beratit, bisedë në të cilën kallëzuesja priste orientime rreth procesit gjyqësor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi gjyqtari ka zhvilluar biseda tendencioze jashtë interesit të Irmës për procesin gjyqësor.
Në këto rrethana, kallëzuesja ka përgjuar nëpërmjet telefonit të saj celular tri biseda të zhvilluara me gjyqtarin e çështjes, Shyqyri Çobo, në të cilat pretendon se për të dhënë një vendim në favor të saj, gjyqtari i kërkonte që të bëhej mikesha e tij apo “dashnorja e tij”, duke u justifikuar me dhënien e ndihmës juridike për çështjen në ngarkim të saj.