Bashkia e Tiranes ka zgjidhur problemin e strehimit për 177 familje të tjera në nevojë, te cilat kane perfituar nga nje banese sociale. Këshilli Bashkiak i Tiranës, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi propozimin Bashkisë për të shpërndarë në harkun e 11 muajve pjesen e dytë të banesave sociale. Nje premtim i mbajtur nga kryebashkiaku Veliaj, i cili me ardhjen ne krye te Bashkise se Tiranes 1 vit me pare kishte shperndare 241 banesat e para sociale.
Në total janë 177 familje fituese, nga të cilat 37 përfituese të strukturave garsionere, 102 apartamente 2 + 1 dhe 38 apartamente 3+1. Familjet përfituese kanë në përbërje të tyre persona me aftësi të kufizuara, invalide pune, anëtarë me statusin e jetimit, familje njëprindërore me fëmijë në ngarkim, familje të pastreha etj. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve që do të strehohen në këto banesa sociale vijnë nga komuniteti rom. Kështu, në total janë 77 familje që në bazë të dokumentacionit të dorëzuar i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian.
Duke iu referuar pikërisht këtij vendimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka theksuar se përveç 177 familjeve përfituese edhe pjesa tjetër që kanë aplikuar dhe janë shpallur fitues do të trajtohet me prioritet në muajt në vazhdim. “Nuk po i hyj historisë se si ka ndodhur në katër vite që nuk u shpërndanë banesat sociale, por është në nderin e këtij Këshilli që teksa mbyllim vitin e parë të këtij mandati, nga momenti kur jemi betuar të gjithë bashkë, të mbyllim shpërndarjen e banesave sociale, me këtë raund të dytë që bëjmë sot dhe besoj që jap një mesazh se ku ka vullnet ka një rrugëzgjidhje dhe gjërat ecin përpara”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ai ka theksuar se vendimi për shpërndarjen e këtyre banesave sociale është marrë në transparencë të plotë dhe në listat e përfituesve nuk ka më zëvendësministra apo zyrtare të tjerë të lartë, sic behej me pare. “Një gjë ju garantoj, vrasës të 21 janarit në këto lista nuk ka. Vrasësit e 21 janarit nuk shpërblehen, pra i jemi larguar asaj kohës që me banesa sociale shpërbleheshin deputetë, shpërbleheshin komisionerë, shpërbleheshin gardistët që vranë me plumba në mish. Gjysma e grupit parlamentar te PD merrnin kredi të buta si varfanjakë, kjo nuk ndodh ne kete bashki. Ish ministra dhe ish zëvendësministra merrnin kredi të buta dhe ai që duhet të rriste fëmijën e vet nuk ka dot askes për një kredi të butë sepse gjithë grupin parlamentar e ke me kredi të buta. Gjithë gardistët i keni me banesa sociale”, theksoi Veliaj.
Gjithashtu, po në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u miratua edhe vendimi “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. Me anë të këtij vendimi bëhet e mundur ofrimin e një shume parash për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave të tregut të lirë për 48 familje me vlera që variojnë nga 7 deri në 20 mijë lekë të reja.
Ndërkohë, Veliaj duke folur për një tjetër pikë të rëndësishme të rendit të ditës së Këshillit Bashkiak, atë që ka të bëj me ngritjen e Task-Force për ngritjen e Asambleve dhe zgjedhjen e Administratorëve të pallatave në kryeqytet, ka theksuar se ai do synojë t’i jape zgjidhje të gjitha problemeve që sot kanë qytetarët me njeri-tjetrin në administrimin e ambienteve të përbashkëta dhe jo vetëm.
“Ky vendim zgjidh një problem madhor të komunitetit, qe shpesh herë ka rezultuar në konflikt mes banorëve të një pallati dhe detyrim ligjor që në 25 vite tranzicion nuk ka mundur të përmbushet”, u shpreh Veliaj. (java / r.a)