Rritja e prodhimit bujqësor, që përkon në këtë periudhë edhe me pikun e sezonit, ka sjellë në tregjet bujqësore të vendit përgjysmim të çmimit të shitjes për këto produkte. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se çmimet e artikujve kryesorë ushqimorë këtë javë në tregjet e vendit ka shënuar rënie të ndjeshme kundrejt fundit të muajit qershor.
Superprodhimi bujqësor vendas gjatë këtij viti, ka reflektuar gradualisht uljen e çmimeve të këtyre produkteve në tregjet e vendit, ku në disa prodhime të përdorimit të përditshëm, çmimet rezultojnë shumë të favorshme për konsumatorët. Sipas statistikave, çmimet e rreth 45 për qind të artikujve bujqësorë, kryesisht të perimeve si speca, domate, kastraveca etj., kanë vazhduar të ulen, përkatësisht në 50-40 lekë/kg, 40-30 lekë/kg, 50 lekë/kg.
Ndërsa me rritje të çmimit rezultojnë prodhimet që janë në fillim të sezonit dhe një pjesë e prodhimeve të importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 2,2 lekë/kg. Po sipas të njëjtit burim, për produktet e tjera në grupin e ushqimeve mish, bulmet dhe ushqime të importit, si vaj, makarona, etj, gjatë kësaj jave është ruajtur i njëjti nivel çmimi sa një javë më parë. Ndërsa këtë javë perimet u shitën më lirë në qytetet e Beratit, Lushnjës dhe Fierit.
ma.me