Aftësitë gjyqësore, aftësitë organizative, etika dhe angazhimi ndaj vlerave gjyqësore, si dhe aftësitë njerëzore e angazhimi profesional, janë katër kriteret mbi të cilat do të bëhet vlerësimi i magjistratëve, i parashikuar në pr/ligjin “për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”.
Komisioni i posaçëm parlamentar po vijon sot diskutimin nen për nen të këtij pr/ligji, ku sot do të ndalet tek Titulli i IV i tij, që parashikon dispozitat për vlerësimin e veprimtarisë së magjistratëve (termi që do të përdoret me ligjin e ri, për gjyqtarin dhe prokurorin). Rezultatet e vlerësimit do te orientojnë Këshillat (Gjyqësor dhe të Prokurorisë) lidhur me vendimet për statusin e magjistratit, në funksion të zhvillimit të karrierës.
Pr/ligji përcakton në mënyrë të detajuar komponentët e katër kritereve të mësipërme mbi bazën e të cilave bëhet vlerësimi. Magjistrati vlerësohet një herë në tre vjet, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale, përfshirë edhe përvojën profesionale si ndihmës gjyqtar ose gjyqtar i komanduar.
Magjistrati vlerësohet një herë në pesë vjet, pas pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale si magjistrat. Kryetari vlerësohet të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit si kryetar. Procedura e vlerësimit të magjistratit shtrihet në tri faza që konsistojnë fillimisht me kryerjen e vetëvlerësimit nga vetë magjistrati, dhënien e opinionit nga kryetari i gjykatës ose prokurorisë për magjistratin që ka kryer vetëvlerësimin dhe më pas vlerësimin e magjistratit nga Këshilli.
Gjatë procedurës së vlerësimit të magjistratit në Këshill, ai/ajo ka të drejtë të aksesojë dosjen e vlerësimit, të paraqesë prova, të dëgjohet dhe të kundërshtojë projektraportin e vlerësimit. Sistemi i vlerësimit, që synon të përmirësojë veprimtarinë profesionale dhe etike të magjistratëve, bazohet dhe zbatohet nëpërmjet parimit të pavarësisë, parimit të meritokracisë dhe zhvillimit të karrierës, parimit të efikasitetit, procesit të rregullt ligjor dhe konfidencialitetit, përcaktohet në nenet e pr/ligjit “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit”.
Me. Ar