Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri theksoi se masterplani për gazifikimin e vendit është një plan afatgjatë që mund të zgjasë deri në 20-30 vjet.
Gjatë fjalës së tij në takimin e grupit të punës për masterlanin e gazit, ministri Gjiknuri tha se studimi ka parashikuar që baza kryesore e furnizimit me gaz në të ardhmen do të jetë TAP-i, por do të shfrytëzohen edhe burimet me gaz që janë në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend kryesisht i varur nga prodhimi i energjisë nga hidro, i cili ka tekat e veta. Gazi po shihet si burim alternativ, që është i pasur, miqësor me mjedisin. Ka dhe një lloj qëndrueshmërie në pikëpamjen e çmimeve. Këto janë plane afatgjata. Po hedhim piketat e një zhvillimi që mund të marrë 20 -30 vjet. Qeverisë shqiptare i del një detyrë që këtë masterplan ta kthejë në plane konkrete zhvillimi.
Së bashku me Kosovën kemi aplikuar për të bërë studimin e fizibilitetit për të bërë të mundur ndërtimin e gazsjellësit me Kosovën”, deklaroi ministri Gjiknuri.
BW/d.i.