Terroristi çeçen Chataev Ahmed, i dyshuar si truri i sulmit terrorist në Stamboll, ishte agjent i shërbimit të inteligjencës së Gjeorgjisë, kanë bërë të ditur në Tbilisi.
Gjatë një debati televiziv në “Rustavi 2” ku janë zbuluar lidhjet terroriste në Gjeorgji, ka marrë pjesë edhe ish-presidenti Mikhail Saakashvili, transmeton Telegrafi.
Debatin rreth marrëdhënieve të Chataev me Gjeorgjinë, e ka filluar ish-presidenti gjeorgjian. Ai ka rikujtuar se në shtator të vitit 2002, Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë kishte arrestuar Chataevin pas likuidimit të grupeve terroriste, të cilët kishin tentuar të futen nga Rusia në Gjeorgji pranë kufirit ruso-gjeorgjian.
Ish-presidenti tha se pas ndërrimit të qeverisë në vend gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012, administrata e re në krye me Bidzina Ivanishvili kishte liruar Chataevin, duke e shpallur të pafajshëm për armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në sulme terroriste.
Pas kësaj Chataev kishte udhëtuar për në Siri, ku edhe iu bashkua ISIS-it. Ndërsa në fillim të vitit 2016, komiteti anti-terrorist rus, e kishte shpallur Chataevin importuesin kryesor të terroristëve në Evropë.
Pas deklaratës pompoze të Sakashvilit në “Rustavi 2”, kishte folur kryetari i komitetit për mbrojtje dhe sigurisë të parlamentit të Gjeorgjisë, Herakliut Sesijashvili.
Sipas tij, Chataev ishte agjent i shërbimit të inteligjencës gjeorgjiane, të cilin e kishin shfrytëzuar për negociata me militantët çeçenë. Sipas Sesijashvilit, ish-autoritet gjeorgjiane e kishin rekrutuar “njeriun me një dorë”, pas ekstradimit të tij nga Ukraina.
Sipas deputetëve, Chataev kishte dalë jashtë kontrollit dhe vetëm atëherë ishte ngritur kundër tij ndjekje penale për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, Turqia i ka bërë thirrje këto ditë shërbimeve sekrete amerikane që t’i ndihmojnë në kapjen e Chataevit./a.m.