Pengmarrja, mister fati i kapitenit të anijes që u rrëmbye nga egjiptiani.
Pasi kanë kaluar 17 ditë nga rrëmbimi i anijes “Çelepia 2” nga egjiptiani Adel Mohamed Salam, familjarët e kapitenit të anijes, Dhimtër Malaj, nuk kanë asnjë informacion për fatin e tij.
Këtë të fundit, Salam nuk e ka ekspozuar në asnjë fotografi, sikurse bëri për marinarin Luan Mema si dhe nuk ka dhënë asnjë lloj informacioni gjatë kohës që ishte në kërkim.
Shpresa e vetme për të mësuar detaje nga rrëmbimi dhe mbi fatin e kapitetni është kthimi i marinarit Luan Mema, i cili u gjet në kushte të mira shëndetësore në hambarin e anijes Çelepia 2. Ai ndodhet ende në Egjipt, ku po mbahet nga autoritetet që po hetojnë mbi këtë ngjarje me qëllim zbulimin e vendndodhjes së kapitenit.
“Kanë kaluar 17 ditë nga zhdukja e babait dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë mund të ketë ndodhur. Kemi dëgjuar fjalë të ndryshme, por përpiqemi të mos u besojmë. Kemi dëgjuar se e ka hedhur në det. Sikur e ka lëshuar katër ditë para se të arrestohej për t’u kthyer në shtëpi. Kanë kaluar shumë ditë dhe shpresat tona dita-ditës veniten. Nuk dimë çfarë të mendojmë, mendja na shkon për më të keqen. Shpresa vdes e fundit, ndaj shpresojmë se do të ndodhë ndonjë mrekulli, “ tha për Panorama i biri i kapitetin Malaj, Damjan Malaj./a.m.