Ndodh eshte keshtu: te paguhen 1 milion dollare per shkollimin e tyre dhe te mos punojne. Suad Bikliqi, Fatos Preteni dhe Herolind Jashari janë vetëm tre nga 9 studentë që mes viteve 2008 – 2013, kishin studiuar në Akademinë Policore të Turqisë, të financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, raporton KTV.
Sipas marrëveshjeve individuale që kishin bërë me ministrinë, “MPB-ja ose cilido pasardhës i saj, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së përfundimit të studimeve, duhet t’i ofrojë përfituesit kontratë të rregullt pune në kuadër të MPB-së apo agjencive të saj (Policisë së Kosovës) dhe jo më vonë se tre muaj kalendarikë pas marrjes së dëshmisë, për një periudhë prej më së paku 10 vjetësh”.
Por edhe 3 vjet pas kthimit nga Turqia, ata nuk janë punësuar nga MPB-ja, megjithëse këtyre treve së bashku me Bastri Hajdarin, Alban Thaçin, Drilon Hysenajn, Gurakuq Demakun, Kushtrim Sadikun dhe Çlirim Petrovcin, u ishin nostrifikuar diplomat nga Ministria e Arsimit, duke iu njohur grada “Specialist i Sigurisë”.
Kohavisioni i ka dërguar e-mail MPB-së para dhjetë ditësh, për të sqaruar këtë rast, por kjo ministri nuk ka denjuar të përgjigjet. (b.an)