Thirrja u bë në fund të muajit maj, disa javë para fillimit të Ramazanit: Grupi militant Shteti Islamik (ISIS) porositi mbështetësit e tij ta bënin muajin e shenjtë “me leje të Zotit, një muaj të dhimbjes për të gjithë jobesimtarët kudo që ndodhen”.
Kjo thirrje ka shndërruar ato që janë dashur të jenë katër javë të paqes dhe të bamirësisë në gjakderdhje të mëdha, nga Florida e Shteteve të Bashkuara deri në Filipine, duke lënë më shumë se 800 të vrarë nga duart e militantëve të ISIS’it në mbarë globin, raporton The Daily Mail.
Ekstremistët kanë vrarë njerëz teksa ata po kalonin kohën me miqtë e tyre në një kafene në Bangladesh, kanë ekzekutuar familje siriane që janë përpjekur të ikin nga regjimi i tyre i dhunshëm dhe kanë vrarë një polic me thikë në Francë.
Në katër javët e para, pothuajse 30 njerëz në ditë janë vrarë nga dora e një ekstremisti të ISIS’it, përfshirë shumë fëmijë – dhe shumica e tyre myslimanë si ta, por paqësorë, që nuk pajtohen me mendësinë e tyre të gabuar.