Serbia dhe Shqipëria do të zhvillojnë shumë shpejt një konferencë me politikanë dhe biznesmenë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, deklaroi sot në Paris kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, pas një takimi me homologun e tij shqiptar, Edi Rama.
“Ne do të organizojmë një konferencë me politikanë dhe ekonomistë pas dy ose tre muajsh për të parë se si Serbia dhe Shqipëria, Beogradi dhe Tirana, të afrohen më shumë dhe se si të mbajmë marrëdhëniet më të mira të mundshme. Kjo është e mirë si për ne dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal ashtu edhe për ekonomitë tona”, shtoi kryeministri serb për median në Paris.
”Pata një bashkëbisedim të shkëlqyer dhe substancial me Ramën”, theksoi Vuçiç.
“Ne duam marrëdhëniet më të mira dhe më të ngushta të mundshme dhe ramë dakord të përmirësojmë bashkëpunimin tonë në interes të serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai.
”Ndërtimi i autostradës Nish-Prishtinë dhe kontaktet e mira mes biznesmenëve mbeten një prioritet për ne”, deklaroi Vuçiç.
”Edhe vendosja e një linje ajrore të ‘Air Serbia’ nga Beogradi në Prishtinë është një prej prioriteteve”, shtoi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç. (java / r.a)