Përderisa jemi duke e pritur gjeneratën e re të Mercedes E63 AMG, kompania e cila merret me modifikimin e veturave, Posaidon, përsëri është marrë me modifikimin e paraardhësit të tij.
Fjala është për Sedanin sportiv Mercedes-AMG E63 4Matic, motorin – 5.5-litër V8 Bi-Turbo – e të cilit Posaidon e ka përforcuar në 1020 kuajfuqi, duke e bërë njërin nga modelet e Mercedesit më të fuqishëm të regjistruar në komunikacionin e përditshëm.
Posaidon tregon se ka ndërruar turbo-mbushësit, ka vendosur Intercooler efikas, njësinë e ri-programuar ECU, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, si dhe se ky sedan peshon më lehtë. Gjithashtu është modifikuar edhe marshi, diferenciali, amortizatorët, sistemi i frenimit. Po ashtu edhe ulëset e përparme janë ndërruar, të cilat peshojnë më lehtë.
Posaidon ka përdorur edhe fibra të karbonit për kapakun e motorit, mbrojtësin e përparmë, difuzerin dhe spoilerin e pasmë, pasqyrat.
Tani, Sedani sportiv Mercedes-AMG E63 4Matic me 1020 kuajfuqi shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra e arrin për vetëm 2.8 sekonda, ndërsa atë maksimale deri në 368 km/h./express/a.k