Disa muaj pas fillimit të punimeve, Xhamia e re e Namazgjasë ka nisur të marrë formë. Gjatë kësaj kohe janë përfunduar dy katet e parkingut nëntokësor, si dhe është ndërtuar kati i parë i qendrës kulturore. Ndërkaq, ka nisur puna për ndërtimin e kupolave, të cilat do të përmasa të ndryshme. Një ditë para festës së Bajramit të Madh, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kreu i Myftinisë së Tiranës, Ylli Gurra, inspektuan ecurinë e punimeve, duke e cilësuar Xhaminë e re jo vetëm një dhuratë të çmuar për besimtarët myslimanë, por edhe një vlerë e shtuar për qytetin, si një pikë referimi dhe hapësirë kulturore.
“Shumë shpejt besimtarët myslimanë në Tiranë do të kenë një shtëpi dinjitoze, që i ofron qytetit shumë më shumë shërbime se shërbimet që kemi pasur deri tani, si ato në salla konferencash, bibliotekë me shumë libra dhe në hapësira parkingu. Një qytet i mirë është si një shtëpi e madhe, ka dhoma për të gjithë, ndaj më vjen mirë që në këtë prag Bajrami shohim progresin e bërë”, tha Veliaj. Ai shtoi se kjo godinë do të jetë jo vetëm në dispozicion të besimtarëve myslimanë, por edhe gjithë qytetarëve të Tiranës, qoftë për aktivitete kulturore, ashtu edhe për mundësinë që do ofrojë për parkimin e makinave.
“Vetëm segmenti nga ‘Partizani i Panjohur’ deri te ura e rrugës së Elbasanit do të ketë 1 mijë vende parkimi. Më në fund jemi në një situatë ku edhe investimet në objektet e kultit janë përtej investimit për besimtarët, janë investime për gjithë qytetin. Besoj se të gjithë qytetarët e Tiranës duhet ta shikojnë këtë xhami si shtëpinë e tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se synimi i Bashkisë së Tiranës është që institucionet kryesore të kultit në Tiranë të përqendrohen brenda një zone të caktuar, e cila nesër do të kthehet në pedonale, duke krijuar mundësi për t’u vizituar edhe nga turistët.
“Vendimi që kemi marrë është që të gjithë objektet e kultit që gjenden në qendrën e Tiranës, si Katedralet, ashtu edhe Xhamia e Namazgjasë, të jenë brenda zonës pedonale. Kjo do ta bënte këtë zonë hapësirën më të madhe pedonale në Tiranë, e cila do u mundësonte akses më të lirshëm jo vetëm besimtarëve, por të gjithë turistëve e vizitorëve apo gjithë qytetarëve që duan të përdorin këto ambiente”, shtoi Veliaj, teksa gjeti rastin të urojë të gjithë besimtarët myslimanë festën e Bajramit të Madh.
Kreu i Myftinisë së Tiranës, Ylli Gurra, falenderoi organet e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore për mbështetjen e dhënë në ndërtimin e xhamisë, si dhe theksuar se punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara.
“Pas disa muajsh, Xhamia e Namazgjasë do të jetë gati jo vetëm për besimtarët myslimanë, por do të jenë në shërbim të kryeqytetasve me ambiente publike, parking, bibliotekë etj. Ky është një sihariq i mirë sepse tashmë, gjithçka ka marrë udhë dhe po vazhdon pa asnjë lloj pengese, si në aspektin teknik, edhe në aspektin kohor”, tha kreu i Myftinisë së Tiranës, Ylli Gurra.
Punimet në Xhaminë e Re kanë ecur me një ritëm të lartë dhe në vetëm pak muaj është mbaruar struktura (karabinaja) e dy kateve parkim nëntokësor dhe katit të qendrës kulturore. Momentalisht punimet kanë hyrë në fazën më të vështirë të xhamisë, ku elementëve strukturorë të zakonshëm tanimë i janë shtuar edhe qemerët (harqet) dhe kupolat e kubesë të përmasave të ndryshme. Brenda dy muajsh parashikohet të mbarojë struktura deri në kubenë e madhe.