Ai ishte një klandestin si mijëra shqiptarë që linin Shqipërinë për të shkuar në Itali për një jetë më të mirë.
Ëndërronte të shkonte në Londër më pas dhe mori gomonen për Itali. Por karabinierët e kapën dhe e çuan në një kamp të miturish. Ishte viti 2008.
Por ai nuk e lëshoi veten. Kërkoi të punonte menjëherë, gratis, si një banakier në një lokal, më pas shitës në një dyqan kompjuterash. Mësoi, punoi dhe studioi vetëm. Pasioni për informatikën ishte i madh te ai.
Sot, tetë vjet më vonë, Uljan Sharka ka kapur ëndrrën e tij.
Kompania që ai themeloi, iGeniues, u prezantua fillimisht në festivalin e Kanës ku ishte një ndër më premtueset.
Tetë muaj më parë ishte vetëm, ndërsa sot 25 të rinj punojnë për të dhe ai vazhdon të shtojë stafin.
Po has me një sukses të jashtëzakonshëm.
Sapo është financuar me 1,5 milion euro nga dy biznesmenë që u ka pëlqyer ideja e tij.
Sharka ka rezervë edhe një softuer tjetër, projekte të tjera për të zhvilluar për ndërmarrje të vogla dhe të mesme.
Ide që mund të revolucionojnë botën e marketingut dixhital.
Sipas ekspertëve, potencialiteti i softuerëve të tij është i njëjtë me ato të Facebook kur lindi.
Në shtator, me rastin e TechCrunch në San Francisko, kompania e tij do ta prezantojë projektin e ri zyrtarisht. Në do të jenë specialistët më të mirë të teknologjisë.
“Software lexon në kohë reale të dhënat e mëdha në rrjetet sociale, i përpunon dhe më pas këshillon si të përmirësosh marketingun në platformat vetjake duke përdorur teknologjinë si levë”, thotë Uljani.
Me programin e tij “crystal” mjafton të kërkosh dhe për dy sekonda të del një dritare që të thotë se kush ishte postimi që ka emocionuar më shumë, cili hashtag ose ngjyrë ka patur më sukses etj.
“Mund të përmirësosh marketingun online me vetëm një klik”, thotë Uljani.
Duket paksa banale për ata që nuk e kuptojnë shumë teknologjinë, por ekspertët mendojnë se është një mrekulli teknologjike, pasi dhjetëra kolosë informatike kanë prenotuar vendet për të parë softuerin që ende nuk ka dalë.
“Na ka mbështetur fuqimisht Google dhe falë tyre kemi realizuar versionin e parë të ‘crystal’ në vetëm katër muaj”, tregon i riu shqiptar.
Ideja e tij shpesh cilësohet si revolucionare.
“Konsulenca me të tjerë do të jetë e kotë, pasi me këtë program mund të bëhet gjithçka vetë duke përmirësuar marketingun në bazë të të dhënave që jep programi”, tregon ai.
“Ne besojmë të Uljani. Ne jemi investues profesionistë por kemi dhe shumë eksperiencë duke qenë se kemi punuar për shumë vite për entitete private. Ideja e iGeniues dhe ide të tjera të këtij djaloshi janë të jashtëzakonshme”, thotë Carlo Cartasegna, një menaxher i tregut financiar që ka kontribuar për Uljanin.
Uljani punon shtatë ditë në shtatë, gjithmonë para kompjuterit, deri në 20 orë në ditë.
“Në Shqipëri ishte e vështirë. Që 13 vjeç punoja për të mbajtur veten. Në shkollë isha i shkëlqyer, por mungonin paratë”, thotë ai.
Në vitin e dytë të shkollës së mesme braktisi shkollën për të shkuar në Itali.
“Doja të krijoja diçka të madhe, diçka timen, por në Shqipëri nuk e kisha këtë mundësi”, rrëfen Uljani.
Në 2012 kur krijoi me kursimet e tija iGeniues, klientët mendonin se ai kishte shumë punonjës, por uljani e bënte gjithçka vetë.
Teknik, konsulent, ekspert kontabël, i bënte të gjitha vetë në një shtëpi ku jetonte.
“Sot vlerësohemi 25 milinë euro në treg dhe do të hapim degë në Londër dhe San Francisko. Për katër vjet pres zgjerim të madh të kompanisë dhe duam të bëhemi e para start-up në Itali që të kalojmë vlerën 1 mld dollarë”, thotë krahu i djathtë i Uljanit, Gregorio Cutelle.
Kush e njeh mirë Uljanin e di se ai punon fortë dhe flet pak, si Zuckerberg.
Ka pak a shumë edhe të njëjtin vizion për tregun.
“Do t’ia jap platformën time falas ndërmarrjeve të mesme, që të rriten me publicitetin dixhital pa i rënduar me kosto të kota”, thotë ai.
Në planet e tij nuk përfshihet pasuria apo të bërit miliona.