Projektligji ‘për organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë” përcakton rregullat e funksionimit të katër organeve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Emërimeve.
Ligji i ri, që po diskutohet nga komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi, parashikon një ndryshim thelbësor të rolit të organit që qeveris gjyqësorin, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i emërtuar rishtas si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Ndryshimet më të rëndësishme në funksionimin e këtij institucioni kanë të bëjnë me:
-numrin e anëtarëve, nga 15 që është aktualisht në 11;
-procedurën e zgjedhjes së tyre;
-suprimimin e tre anëtarëve në këtë organ (nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë);
-kryesimin e organit nga njëri prej anëtarëve jo gjyqtarë, duke ia hequr këtë të drejtë Presidentit të Republikës;
– suprimimin e funksionit kushtetues të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
-zgjerimin e madh të kompetencave të cilat propozohet të përfshijnë pothuaj të gjitha aspektet e administrimit të gjyqësorit;
-kalimin nga anëtarësia me kohë të pjesshme në anëtarësi me kohë të plotë në funksion të efiçiencës dhe kolegjialitetit të organit.