Socialistët do të mblidhen në një festë madhështore më 12 korrik, për të kujtuar 25-vjetorin e themelimit të partisë së tyre. Festa po përgatitet prej kohësh, nga stafi pranë kryeministrit dhe njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama. Drejtuesit po kujdesen që të mos publikohet asnjë detaj nga organizimi, për ta lënë atë surprizë, por mësohet se janë mbi 2.000 të ftuar, mes të cilëve edhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano.
Ftesat do u dërgohen ditë pas dite të gjithë themeluesve të kësaj partie, pa mbajtur asnjë mëri, edhe me ata me të cilët ndër vite ka pasur ndarje mendimesh dhe qëndrimesh. Ende nuk saktësohet mjedisi ku do të bëhet festa, por mendohet në ndonjë ambient jashtë Tiranës, për shkak të numrit të madh të të ftuarve. Sigurisht, kryeministri Edi Rama do të ketë fjalën kryesore të takimit, që do të jetë falënderuese për të gjithë ata që kanë kontribuuar për rritjen e PS-së. Por, ashtu siç e ka deklaruar edhe vetë Rama një vit më parë, ky përvjetor do të jetë edhe një nisje e fushatës për zgjedhjet e vitit 2017. Madje, pritet edhe shpallja e numrit të anëtarësisë, nëse ajo ka kapur shifrën e 150 mijë anëtarëve, shifër që u vu objektiv në 24-vjetorin e PS-së. Në këtë ceremoni festive nuk do të mungojnë edhe aleatët, edhe përfaqësues të opozitës, trupi diplomatik etj.
Është ende herët për më shumë të dhëna, por gjithçka është menduar me detaje, në mënyrë që kjo të jetë një ceremoni për t’u mbajtur mend gjatë. Nuk dihet nëse ish-kryetari Fatos Nano do të jetë i pranishëm. Në një mesazh që ai i ka dhënë medias në 12 qershor, ditën kur ishte vërtet ditëlindja e PS-së, Nano u bëri thirrje socialistëve që të ringrihen. “Ky është një përvjetor kuptimplotë për të vlerësuar pjekurinë e një partie të madhe politike, të madhe për nga vlerat dhe kontributet në 25 vjet demokraci pluripartiake në Shqipëri dhe në rajon. Sot jetojmë në kohë krizash, në vend dhe në botën që na rrethon. Në krizë është edhe politika, edhe partitë tradicionale në Shqipëri. Për fat të keq edhe PS-ja. …Sot nuk është më kështu! Krizat kanë kërrusur jo vetëm Shqipërinë dhe rajonin, por edhe vetë PS-në! Diçka thelbësore është thyer dhe nuk funksionon në organizmin e saj demokratik. Në këtë ditë të shënuar dhe kryelartë për socialistët dhe të majtën e re shqiptare në tërësi, nuk është e dobishme të stigmatizohet sëmundja e rëndë nga e cila po gulçojnë PS-ja dhe demokracia shqiptare”, – tha Nano. “Por, është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se ‘rilindja’ të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite!” – e ka mbyllur mesazhin e tij Nano.
“FRESSH Voice”
Ndërkohë dje, të rinjtë e PS-së kanë mbyllur fazën e parë të garës së quajtur “FRESSH Voice”, nga ku do të dalin drejtuesit e rinj të forumit rinor eurosocialist. Ekipi vlerësues i të rinjve, kryesuar nga Pandeli Majko, ishte dje në Korçë, në qytetin e fundit për këtë fazë. Majko, ndërsa ka përgëzuar të rinjtë korçarë që iu bashkuan këtij rrugëtimi, u kujtoi atyre se ka konflikt interesi me këtë qytet për shkak të origjinës së tij. “Jemi në pazar të Korçës, gjithçka ndodh, gjithçka lejohet të thuhet, por edhe për miqtë e mi, se unë jam deri diku me konflikt interesi, sepse jam në shtëpinë time që më ka rritur”, – u shpreh Majko. Batutat nuk kanë munguar me të rinjtë edhe me anëtarin tjetër të jurisë, aktorin Gazmend Paja.
BW/d.i.